E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Vendimi i GJND-së, historik – i merituar për shqiptarët, pas sagës së vuajtjeve që kanë kaluar

Kryeministri Berisha ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me pavarësinë e Kosovës. Menjëherë pas shpalljes së vendimit të trupit gjykues, kreu i qeverisë doli në një konferencë për shtyp duke u shprehur se “Gjykata e Hagës iu garantoi qytetarëve të planetit se pavarësia e Kosovës është në frymën e plotë të së drejtës ndërkombëtare”. Ndërsa e konsideroi, historik vendimin e sotëm të GJND-së, Berisha tha se ky fakt përbën një detyrim të madh, inkurajim madhor që shqiptarët të angazhohen për ndërtimin dhe konsoldiimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal. Ndër të tjera kryeministri Berisha theksoi se vendimi GJND-së do të ketë kontribut në një qëndrim të ri të marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe serbeve. “Shqiptarët dhe Serbët, dy kombe të rëndësishem në rajon, që pavarësisht nga historia e shkuar kanë tani të përbashkët idealin europian.Qeveria shqiptare është e vendosur të kontribuojë për një qëndrim të ri në marrëdhëniet Tiranë-Beograd” u shpreh Berisha përpara mediave.

Topi: Vendimi, hap i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës

Pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha opinionin e saj në favor të pavarësisë së Kosovës, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi i telefonon homologut të tij kosovar Fatmir Sejdiu. Kreu i shtetit Topi e ka cilësuar këtë vendim të rëndësishëm, duke i komunikuar Sejdiut se “Opinioni i GJND-së një hap i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës dhe për integrimin e saj”.

Meta: Kosova, së shpejti anëtare e OKB-së

Zv kryeministri dhe ministri i jashtëm Ilir Meta u shpreh se "Mendimi i GJND-së mbi ligjshmërinë e Kosovës, i hap rrugë përshpejtimit të procesit të njohjes së shtetit të pavarur e sovran të saj, drejt anëtarësimit me të drejta të plota në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), në një të ardhme të afërt". Përmjes një deklarate për shtyp, ministri i Jashtëm, Ilir Meta, përshëndeti vendimin këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, si organi kryesor i drejtësisë Ndërkombëtare, që konfirmon në mënyrë të qartë se shpallja e pavarësisë së Kosovës është një akt i ligjshëm dhe në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare. Meta deklaroi se "vendimi i GJND-së për Kosovën, është edhe një rikonfirmim i të drejtës së patjetërsueshme të qytetarëve kosovarë për liri dhe pavarësi, si dhe një kontribut për paqen dhe stabilitetin në Kosovë, në rajon e më gjerë.

Hyseni: Tani dialog me Serbinë si të barabartë

Pas verdiktit për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë nga ana e Kosovës, dhënë pak më parë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, ministri i Jashtëm i Kosovës Skënder Hyseni tha "presim që Serbia të drejtohet nga ne për diskutime".

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›