GJND ngadalësoi njohjet e Kosovës
Viti që po lëmë pas e gjen Kosovën me 11 njohje, shumë më pak nga viti 2008, kur vendet që njohën shtetin e ri ishte 53.
Vitin e kaluar ndodhen dhe njohjet më të fuqishme, nga Shtetet e Bashkuara, si dhe nga 22 vende të Bashkimit Evropian.
Ndërsa këtë vit gjithcka filloi me njohjen e Panamasë m 16 janar, për t'u mbyllur me njohjen nga shteti afrikan i Malavit, që ndërmorri hapin e rëndësishëm më 16 dhjetor.
Shkak për ngadalësimin e ritmit të njohjeve është bërë kundërshtimi nga 5 vende anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe dërgimi i çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Megjithatë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kosovës, Albana Beqiri argumenton se viti 2008 nuk mund të krahasohet me 2009-ën.
"Nuk mund të kemi krahasime mes vitit të parë dhe vitit të dytë, për vetë specifikat që ka pasur viti i parë i pavarësisë së Kosovës. Bumi më i madh i njohjeve të Kosovës është regjistruar në ditët e para, në muajin e parë, nga shtetet që edhe e kanë sponsorizuar pavarësinë", ka deklaruar Beqiri.