E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërshëndellat e vështira në Irak

Familja Judo nuk mori pjesë në meshën e mbrëmjes së Kërshëndellave në Bagdad. Për shkak të dhunës më të re ndërfetare në kryeqytet dhe pjesët tjera të vendit, familja ishte e brengosur se kishat do të mund të sulmoheshin nga grupet e armatosura.

Në mbrëmje, frika e tyre u bë realitet. Me këtë rast jo vetëm që ka pasur krishterë të vrarë në Mosul, por festa e ashureve, e cila kremtohet nga shiitët dhe e cila këtë vit fillon një ditë pas Kërshëndellave, e ka bërë situatën edhe më të dhunshme: së paku 27 persona u vranë si rezultat i sulmeve, të cilat u ndërmorën në lagjet shiite.

Dy bomba tronditën Bagdadin duke vrarë 14 persona, ndërsa 13 persona tjerë humbën jetën si pasojë e shpërthimit të dyfishtë në qytetin jugor Hillah, disa prej tyre shiitë të devotshëm, të cilët ishin nisur për në qytetin e Qerbelasë për të marrë pjesë në ceremonitë e ashureve, të cilat do të zhvillohen nesër.

Sulmet zgjuan kujtimet për ditët më të errëta të vendit, kur militantët sunitë vazhdimisht sulmonin pelegrinët shiitë gjatë festave të tyre religjioze, siç janë ashuret, në të cilat shënohet martirizimi i Imamit Hussein, stërnipit të Profetit Muhamed në vitin 680. Qeveria e Irakut ka shtuar masat e sigurisë për ditën e nesërme, për të parandaluar ndonjë masakër më të madhe.

Vetëm disa muaj më parë kishte optimizëm se Iraku është në prag të stabilizimit, por pas javëve të tëra të gjakderdhjes, dyert e shumë kishave mbetën të mbyllura të enjten në mbrëmje.

Pjesa më e madhe e të krishterëve janë arratisur nga Bagdadi në vitet 2006 dhe 2007, në kohën kur dhuna ndërfetare kishte arritur kulmin, gjatë periudhës kur ata nga militantët islamikë u cilësuan si bashkëpunëtorë të SHBA-së. Ata u përballën edhe me sulme kundër kishave dhe me ultimatume që të konvertohen në myslimanë apo të paguajnë tatim religjioz. Para një viti disa prej tyre u kthyen në mënyrë triumfale në lagjet e tyre.

Por, tani ata sërish janë të alarmuar për shkak të situatës së sigurisë dhe janë të shqetësuar se mund të joshin sërish vëmendjen e militantëve.

“Nuk e kemi më atë frymën e Kërshëndellave siç e kemi pasur më herët”, theksoi George Judo për drekën e Kërshëndellave të familjes së tij. “Kemi shpresuar se do të bëjmë më shumë, por shpërthimet, vrasjet dhe situata e keqe e sigurisë na pamundëson që të kemi jetë normale të përditshme dhe që të kremtojmë në mënyrë normale Kërshëndellat”, shton ai.

Para invadimit amerikan në vitin 2003, thotë Judo, ai, bashkëshortja dhe fëmijët e tij do të shkonin në meshën e mesnatës për t’u kthyer më pas për të ngrënë darkën në shtëpi. Tani ai nuk e ndien vetën i sigurt të shkojë në meshë, madje as në orët e pasdites, thotë ai.

Sidoqoftë, ai tha se ka planifikuar të marrë pjesë në shërbimin e mëngjesit për Kërshëndella, i cili u zhvillua dje.

“Po të ishte situata normale, do ta kisha dërguar familjen time në park e më pas në një restorant. Për fat të keq, frikësohem që ta bëj këtë”, tha Judo.

Edhe pse disa të krishterë kanë theksuar se brengosen për mundësinë të lëndojnë ndjenjat e shiitëve kaq afër kremtes së ashureve, Judo thotë se ka ndjenjën se këto dy religjione kanë respekt për njëra-tjetrën.

Familja e tij ka dekoruar shtëpinë me një pishë të Kërshëndellave nga plastika, edhe pse Judo thotë se ndien nostalgji për ditët kur mund të bliheshin pishat e vërteta.
“Komuniteti i krishterë është tkurrur aq shumë sa që është e pamundur të sigurosh pisha të vërteta”, thotë ai.

Ati Boutrus Haddad, prift në kishën e Bagdadit, gjithashtu ka një parashikim të zymtë për festat.

“Bagdadi gjithmonë ka qenë i sigurt për ne, por për fat të keq kohërat kanë ndryshuar. Pyetemi se kur do të jemi në gjendje të jetojmë si njerëz normalë dhe kur do të kthehet sërish gëzimi në zemrat tona”, tha Haddad.

Në Mosul kishat u hapën për meshë, por pjesa më e madhe e të krishterëve udhëtuan në Qaraqosh, qytet afër Mosulit. Sulmet më të mëdha kundër të krishterëve kanë ndodhur në Mosul, përfshirë këtu edhe tri sulme me bomba gjatë dy javëve të kaluara. Në fund të vitit 2008, me qindra të krishterë u arratisën nga qyteti pas sulmeve; peshkopi i qytetit është vrarë në fillim të këtij viti.

Në një lagje të Mosulit, Abu Isho, 51 vjeç, dhe familja e tij ishin të ulur në dhomën e ditës të dekoruar me pishë, drita dhe dhurata për Kërshëndella. Ai pyetej se a do të ishte kjo festa e fundit e tij e Kërshëndellave në Irak. Nëse situata përkeqësohet, ai do të largohet, thotë Isho.

Bashkëshortja e tij, Umm Isho, thotë se ajo më nuk dëshiron që njerëzit tjerë ta dinë se cilit religjion i përket familja e saj.

“Si e krishtere, nuk e ndiej vetën të sigurt. Kur shkoj në punë, e vendosi shaminë në kokë, në mënyrë që askush të mos e kuptojë se jam e krishtere”, nënvizon ajo. (Los Angeles Times)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›