E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthimi i nekro-politikës, kësaj here pa lot dhe me syze të zeza

Ndodh shpesh të reflektosh sesi ndihen familjarët e viktimave të Gërdecit teksa 2 vite më pas tragjedisë vazhdojnë të shohin fytyrat e Edi Ramës dhe të “socialistëve” të tij që shëtisin ndër ekranet e pacipa shqiptare për të dhënë verdiktin mbi dhimbjen e tyre. Ai dhimbjen e ka harruar qëkurse ka harruar familjen e tij, prej shumë kohësh. S’ka sekret që koha nuk zbulon, prandaj mendimi në përgjithësi shfaqet veç me fytyrën e vërtetë. Mirëpo për kronikë, siç u mor vesh nga media televizive, opozita populiste shkoi në kraterin e dhimbjes, ndonëse nuk qau me dënesë, edhe pse Rama kishte syze të errëta, por fshehurazi fërkoi duart me nekro-politikën që e karakterizon në kësisoj rastesh. E specializuar në ri-varrosje mediatike, Edvin Rama shkoi në Gërdec, ku tragjedia mori me vete plot 26 persona dhe qindra të plagosur e dëme materiale. Nuk ka kufi instrumentalizimi që i është bërë kësaj tragjedie makabre, ai është shumë ordiner dhe i ulët. Sikur të vjen keq kur mendoj njerëz apo politikanë - sot deputetë - që aspirojnë një “frymë” të re politike në Shqipëri, të zgjedhin të tilla metoda për të diskretituar partinë në pushtet. Gjithçka nënkupton dhe aludon mbi shkaktarët e kësaj mynxyre pangopësie.
Gjithashtu drejtësia shqiptare vonon nga dy vjet po nuk harron. Të akuzuarit janë në qeli, për të gjithë pritet vendimi i Gjykatës. Asgjë më tepër, përpos sjelljes shtinjake të PS për ta politizuar me pretenca akuzuese të iterit gjyqësor. Një provë nuk është një dënim. Veç supozimet mediatike gjallojnë në eter, sikurse mbahet mend se disa media, apo televizione private u hodhën nga gëzimi që tragjedia po i ndodhte kësaj qeverie. Bile kishte prej tyre që bënin thirrje për destabilitet dhe ndillnin kryqëzata masive për hir të supozimeve shkak-pasojë. Ky veprim në Kodin Penal parashikohet si vepër penale kundër rendit dhe sigurisë. Afërmendsh një dënim kërkon gjykim, dhe një gjykim kërkon hetim dhe shumë prova të patjetërsueshme; kurse PS nuk ka asnjë fakt që të përligjë supozimet e “kratereve të dhimbjes” të shprehura në hartimin e lexuar nga gorani Namik
Dokle, një njeri që nuk i qesh buza as në dasmë, jo më në përkujtimin e një tragjedie. Edhe pse çështja është që të mos vazhdohet me këtë nekro-politikën prej hiene, ndërsa humbi jetën aksidentalisht Trebicka, boria alarmiste e opozitës u zuri frymën medies dhe... në shesh, o burra se vranë një dëshmitar!
U vërtetua se ishte aksident, edhe nga ekspertiza ndërkombëtare, pushuan komplotistët dhe opozita e hëngri turpin me bukë, duke arkivuar në sjelljen e vet, talljen me njerëzit. Shfrytëzimi i kësaj tragjedie për motive të dobëta sakatosëse tregon hallin opozitar për të qënmtuar kauza përtej kutive dhe tragjedive. Binomi absurd kuti-tragjedi është një instalim i politikës së re që ka për motiv popullor asgjësimin me çdo mënyrë, në çdo rast atë që ka Pushtetin. çështja “Gërdeci”, është hetuar nga prokuroria dhe ajo ka shkuar
tashmë në gjykatë: A nuk mund të heshtim dhe të lëmë drejtësinë të flasë? Përgjegjësit
të marrin dënimin që meritojnë, ata që mund të kenë bërë korrupsion apo ata që
nga pakujdesia shkaktuan këtë shpërthim, le të paguajnë. Por opozita nuk pret drejtësinë
e gjykatave, as e pranon verdiktin e saj, as pajtohet me çka shpreh Ligja. Ajo kërkon drejtësi mediatike, drejtësi të masës së proletariatit...
Dhe kjo është ajo që quhet drejtësi jakobine, zbrazja e katakombeve: aty ku parimet morale mbisundojnë arsyen dhe të drejtën; aty ku nuk ka fajësi individuale por kolektive, madje partiake. Opozita e Edi Ramës me sa duket vetëm Gërdecin (kuptohet pas kutive) ka si alternativë ndaj mazhorancës në pushtet.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›