E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si fitimtar modest



Mario BENEDETTI

Oligarioja ishte kampion i parandjenjave dhe mburrej për këtë dhunti. Ndodhte që rrinte si i përhumbur një copë herë, pastaj thoshte: “Nesër do të bjerë shi!”
Dhe shiu binte.
Herë të tjera, teksa kruante zverkun, shpallte: “Të martën do të jetë në krye numri 57!”
Dhe, vërtet, të martën dilte në krye tamam ky numër.
Për dhuntinë e vet ai gëzonte një admirim të pakufishëm mes shokëve.
Ka prej tyre që ende e mbajnë mend parandjenjën e tij më të njohur. Po ecnin para universitetit, kur ushtuan sirenat e zjarrfikësve, duke çarë ajrin e mëngjesit.
Oligarioja buzëqeshi lehtazi e tha:
“Ka mundësi të ketë rënë zjarr në shtëpinë time!”
Thirrën një taksi dhe i dhanë porosi shoferit për t’i ndjekur nga pas zjarrfikësit. Kështu, u nisën përgjatë rrugës “Riviera”.
Oligarioja tha:
“Jam i bindur se shtëpia ime po digjet!”
Shokët nuk folën, por heshtën me respekt, sepse e admironin shumë.
Zjarrfikësit vijuan nëpër rrugën “Pereira”. Nervozizmi i të gjithëve po mbërrinte kulmim. Kur makinat hynë pikërisht në rrugën ku banonte Oligarioja, të gjithë shtangën duke pritur.
Zjarrfikësit ndaluan para shtëpisë së Oligarios, e cila po digjej.
Përgatitjet nisën në çast. Herë-herë, nga dritaret e katit të sipërm fluturonte ndonjë dërrasë e përflakur.
Oligarioja zbriti qetësisht nga taksia. Rregulloi nyjen e kravatës, pastaj si një fitimtar modest, pranoi përqafimet dhe përgëzimet e shokëve të tij.

Përktheu Gjergj Vlashi

11 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›