Roman i Atlantidës shqiptare
“Selvitë e Tivarit” nga Mehmet Kraja
Mehmet Kraja, tani si një ndër mjeshtërit e shquar të krijimtarisë narrative, zhanrit romanor, Kraja ia nënshtron me lehtësi poetikës së vet gjithë laramaninë proceduese narrative, tërë ngarkesën historike, përçudnimin kohor, perpektivat përshkruese, pra, tërë korpusin stilor tregimtar që, sipas parimi poetik, i bluan natyrshëm në mullirin e vet, duke krijuar tërësi harmonike.
Ali ALIU
1
Mehmet Kraja, i sigurt në trollin e shtëpisë së vet krijuese, me romanin e ri “Selvitë e Tivarit” (Onufri, 2008) vjen me veshje të përtërirë të poetikës së vet narrative. Në dy romanet paraprake, “Edhe të çmendurit fluturojnë”, dhe “Im Atë donte Adolfin”, pragu në mes njerëzve, personazheve, botës së të marrosurve dhe normalëve, tërhiqej pakashumë i qartë – secili brenda lagjes së vet. Në romanin më të ri ky prag relativizohet, të parët dhe të dytët bëhen bashkë, që do të thotë janë sa si të parët, po aq si të dytët. Të tillë janë personazhet e qytezës, që parakalojnë me shumicë në rrëfimin romanor dhe që janë pasqyrë kolektive e tij. Atmosfera e artikuluar ngjyrimesh e tingujsh të fuqishëm, realiste e surealiste, të tillë, të marrosur e portreton Tivarin.
Në fillim, mbase lexuesi edhe mund të hutohet: ǒështë ky qytet i tëri me banorë të ndërkryer? ǒjanë këto rrëfenja mbi njerëzit e hallakatur? Si mund të përfshihet një qytet i tërë lëvizjesh e veprimesh të marra e magjirërash? ǒështë kjo vathë e izoluar, e përjashtuar bote, brenda së cilës përpëliten njerëz as në tokë as në qiell, sa të vërtetë e sa të përhënur?.. Dilemat bëhen kalimtare apo zbardhen shkallë-shkallë me vetë vendosjen qartë në kohë dhe hapësirë – Tivari në vorbullin e luftërave të fillimshekullit njëzet, Tivari në grahmën e tij të fundit. I vërshuar nga spiunë e agjentë – rusë, malazezë, anglezë, turq etj, me shtëpi publike për ushtarët që e mbajnë të mbërthyer për vdekje qytetin, të gjitha këto janë nishane të sigurta për fundin e tij. Ky të ketë qenë, vallë, burim i tërë kësaj çakërdisjeje dhe marrosjeje të njerëzve të qytetit, që vë në lëvizje instiktin e verbër, që s’është i vetëdijshëm, që s’di të mbrohet?
2
Me kohë, sa më thellë rrjedhës së rrëfimit, fitohet përshtypja se fjala është për një mjedis të kurthuar nga një parandjenjë kataklizmatike, se bëhet fjalë si për një azil të mbyllur me hekura, brenda të cilit banorët duken si të përdalë, ose si ata që përjetojnë mbytjen e anijes mes oqeanit, pa shpresë për shpëtim: sa agresivë dhe autoagresivë, të çekuilibruar, konfuzë, të përçudnuar. Ata, banorët, e dinë dhe s’e dinë që qytetit të tyre i afrohet fundi, që do të jetë antlantidë shqiptare, ose të paktën instinktivisht e ndjejnë se jetojnë ditët e fundit në ishullin e vet… Këtë sjellje të tyre, këtë shtimung e shije të qytetit, këtë perspektivë narrative, këtë poetikë tregimtare, do të arrijë ta artikulojë me mjeshtëri Kraja fillim e mbarim në romanin më të ri.
Në këtë funksion do të vihen grotesku dhe fantastikja, ëndrra e zhgjëndrra, e mundshmja dhe e pamundshmja. Historikisht reale është koha, hapësira, qyteti, palët që e rrethojnë dhe më në fund e zhbëjnë qytetin, e njëkohësisht e marrosur përçudnohet historia, njerëzit, koha dhe gjithçka në të. Mehmet Kraja, tani si një ndër mjeshtërit e shquar të krijimtarisë narrative – zhanrit romanor, me lehtësi ia nënshtron poetikës së vet gjithë laramaninë proceduese narrative, tërë ngarkesën historike, përçudnimin kohor, perpektivat përshkruese, pra, tërë korpusin stilor tregimtar që, sipas parimi poetik, i bluan natyrshëm në mullirin e vet, duke krijuar tërësi harmonike. Me të tilla mjete shprehëse e thur rrëfimin autori mbi fundin arbëror të Tivarit e që ne e përligjim artikulimin e rrëfimit, finesën estetike të tij. Origjinaliteti qoftë i fantastikes, i groteskut, i magjisë dhe realitetit, vjen në përputhje sipas këndvështrimit të autorit me këtë të vërtetë. Në këtë rrëfim-mozaik regjistrohen ngjarje të pazakonshme për përvojën normale të njeriut, që justifikohet me këtë rast si mënyrë origjinale në riprodhimin e kujtesës, pa marë parasysh burimin e saj. Stërmadhimi bie fjala i veprimeve, bëmave, pamjeve, që është në funksion të groteskut si shprehje, brenda diskursit konkret, mund të pranohet edhe si fantastik. Thënë ndryshe, fjala është për një rrëfim me taban realist, të cilit nuk i mungojnë mrekullitë, e që i detyrohet stilit të rafinuar, lehtësisë eterike në portretizimin e ambientit të Tivarit në formën e fundit…
Gjatë gjithë kohës që kisha nëpër duar romanin “Selvitë e Tivarit”, më sillej nëpër mend pamja nga një rrëfim i dëgjuar, këtu e tridhjetë a dyzet vjet më parë, në qytezën Parga të Çamërisë. Plaka e shtëpisë buzëdetit, ku kishim qëndruar për pushime, një mbrëmje, duke folur për të kaluarën e Pargës, kishte regjistruar edhe këtë detaj: “Në qendër të qytezës ishte Teqeja e bektashinjve (edhepse e shndëruar në bungallo, gjurmët e teqesë ishin të gjalla…). Pas braktisjes me dhunë të banorëve të teqesë (të Pargës, Çamërisë), një banore e saj, me emrin Fatime, u ngujua aty. Mbeti e vetmja banore e qytezës. Shihej nganjëherë si hije rrugëve, pa u ndalur, pa folur me asnjeri… Mbase do të ishte çmendur moti… Dikur nuk u fanit më dhe u harrua…” Këto ishin fjalitë që më ishin ngulitur në kujtesë si një imazh i trishtë, si edhe një fund tragjik arbëror.
3
Edhe zëri i narratorit në romanin e Krajës është kolektiv: janë sytë, veshët dhe imagjinata e tre vogëlushëve që, në emër të treshit – të Samiut dhe Prekës i shqipton si narrator. Regjistrimi i ndodhive, i bëmave publike dhe të fshehta të banorëve, të qytetit që regjistron narratori trezërësh është në përputhje me atmosferën – në perëndim të një qyteti, ashtu siç e ka fokusuar çastin historik autori. Vazhdimisht, gjatë rrëfimit, lëviz pragu i së mundshmes. Asnjëherë nuk mund të dihet me saktësi vërtetësia e së regjistruarës, siç nuk mund të jesh i sigurt në burimin e informatës. Aq sa janë konkrete, me prani të gjallë të themi radhët e informatorëve tebdil të pretendentëve të huaj, të atyre që duan të shtien në dorë qytetin dhe nishanet e tjera të kësaj fryme, po aq i mjegullt bëhet rrëfimi mbi banorët e qytetit. Ka të ngjarë se treshi tregimtar mund të mos i ketë parë e dëgjuar tërë çfarë rrëfejnë, përkatësisht mbase besojnë se i kanë parë e dëgjuar. Duket sikur brenda atyre rrëfimeve të pleksura përzihen përralla e legjenda kushedi nga kush të dëgjuara, bëmat e të cilave ua veshin personazheve të qytetit. Ose thjesht, atyre dhe rrëfimit në tërësi narratori u ndajmbath bëma të shpikura nga fantazia e tij. Gjithsesi, fjala është për një finesë narrative që ekuilibron mjeshtërisht këtej dhe andej fantastikes e që arrin të shpalosë dritash të fuqishme qenien e çekilibruar, dridhmat e grahmës së fundit të qytetit. Falë kësaj poetike narrative, përkatësisht harmonisë mes temës, stilit, kohës e hapësirës, lexuesi e pranon natyrshëm mënyrën e tillë të shpalimit të frymës së fundit të qytetit, përkatësisht lexuesi harron çekuilibrimet e regjistruara…
Personazh kryesor, spontanisht shfaqet qyteti, Tivari. Përshfaqia e tij, ndërsa arrihet shkallë-shkallë ashtu siç gradualisht ndryshon trajtë dhe fizionomi, ashtu siç vjen tinëzisht, si sëmundje dinake zhbërja e tij. Edhe nishanet drejt vdekjes vijnë të lehta, në fillim të pahetueshme, të pazëshme… Tërë vargu i rrëfenjave romanore ngjizet pikërisht në këtë meskohë. Prandaj, qyteti, të cilit i përgatitet zhbërja, do t’i shndërrojë banorët e vet në këtë katandisje… Mos ngjajnë banorët e Tivarit të para një shekulli edhe me njerëzit e ndërkryer nga përditshmëria jonë sot?!
Finesa më elegante narrative, më diskretja dhe më e tërthorta në romanin më të ri të Mehmet Krajës është edhe ironia. Sa dhe si në të vërtetë e mbrojnë banorët qytetin e vet, vatrën, trollin e trashëguar nga lashtësitë? Dyshimi therës rrezaton fare natyrshëm nga veprimet, sjellja e tyre, pa e afishuar dhe zënë ngoje atë. Ata nuk janë fare të vetëdijshëm, ose gati nuk janë të ndërgjegjshëm për përmasat tragjike dhe për gjenocidin e ushtruar mbi ta, mbi qytetin. Ca nga ata bëjnë sehir, ca bëjnë seks në shtëpinë publike, e të tjerët bëjnë tregti me ushtritë pushtuese, ose me ato që janë barikaduar në kufi të tij të gatshëm për ta zhbërë.
11 Tetor 2008