Lepuj të zinj, lepuj të bardhë
Yzedin HIMA
“Kur u lindi vëllai më i vogël, dy lepujt qumësht të bardhë u tronditën. Ai ishtë skrop i zi. Të tre shëtisnin në lëndinën me bar e lëpjeta të menduar. Kush mund të tregojë se çfarë mendonte njëri e çfarë mendonte tjetri? Si mund të rrjedhë më tej kjo ngjarje?” Kjo qe një nga situatat që paraqiti para edukatoreve të kopshteve të qytetit të Beratit një nga mësuesit e ardhura nga Italia për një trajnim. Kjo situatë ishte e shoqëruar edhe me pamjet e dy lepujve, atë të lepurit të bardhë dhe atë të lepurit të zi. Kjo pyetje e shtruar në mjedisin shqiptar nuk mund të ketë një përgjigje të njëjtë me atë të një mjedisi italian. Arsyet janë të shumta. Ato kanë të bëjnë me mentalitetin, historinë, fatin e qytetrimeve etj.
Atëherë le të shohim përgjigjet e mundshme.
“Dy lepujt e bardhë do ta mbysnin lepurin e zi në pellgun më të afërt, sepse do t’u vinte turp nga ngjyra e vëllait të tyre”, do të qe njëra nga përgjigjet për një mjedis tipik shqiptar, sidomos para shumë viteve. “Do ta braktisnin në fatin e tij”, do të përgjigjej një tjetër. “Do ta dëbonin (internonin) larg fermës ku banonin”, mund të përgjigjej dikush. “Do ta mbanin si shërbëtor, siç ka ndodhur e ndodh jo rrallë në historinë njerëzore ”, mund të shtonte një tjetër. Nuk përjashtohet edhe përgjigja me zemër të thyer: “Do ta donin, sepse e kishin vëllanë e tyre.”
Nuk po komentojmë përgjigjet e dhëna nga pjesëmarrësit e këtij trajnimi, të cilat kurrsesi nuk iu afruan surprizës që paraqitën Xhovana dhe Piera, dy mësueset italiane. Në vazhdim të rrjedhës së ngjarjes, ato paraqitën dy lepujt: i bardhi i ndryshuar në gri dhe i ziu gjithashtu, për shkak të ngjyrimit, e kishte humbur të zezën e thellë. Të dy qenë përpjekur me sukses për të ndryshuar. Për të ndryshuar me të vetmin qëllim që t’i afroheshin njëri-tjetrit. Me të vetmen arsye për të zbutur sadopak diferencat midis tyre, me të vetmin synim për të bashkëjetuar në harmoni, paqe e dashuri midis tyre.
Nuk e lodhëm pa arsye lexuesin me këtë tregim për kopshte. Se fare mirë kjo fabul mund të zhvillohej mu në mes të Parlamentit Shqiptar. Dhe do qe mjaft e dobishme, sepse do të shërbente për edukimin e deputetëve tanë, që aq shumë na ngjajnë (krejt si ne janë), për të zgjidhur situatat e ngjashme që përsëriten çdo ditë në atë që duhej të ishte tempulli i demokracisë. Kjo fabul mund të zhvillohej me mjaft interes edhe në radhët e partive tona politike, ku ai që mendon ndryshe (lepuri i zi), do të linçohej, pa dyshim. Kjo fabul mund të tregohej në sheshet e qyteteve dhe të katundeve tona, ku toleranca ( i ziu lepur!) më së shumti mungon.
Duke sulmuar tjetrin për ta ndryshuar me dhunë e për ta bërë si veten, ky është mesazh lufte, ky është mesazh diktature, ky është mesazh për ndarje. Atëhere nga duhet t’ia fillojmë? Pa dyshim nga vetja.
11 Tetor 2008