E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gabimet me Niçen

Kritikë / Mbi një përkthim në shqipe të "Kështu foli Zarathustra"

Sipas disa analistëve dhe kritikëve letrarë, ka pak vepra filozofike kaq "popullore" sa "Kështu foli Zarathustra" dhe gjithashtu ka pak nga ato që u bëjnë vend aq shumë interpretimesh rrënjësisht të papajtueshme.

"Zarathustra" e ve njeriun në pikëpyetje dhe në dyshim si pak vepra të mëparshme. Krejtësisht në shkëputje me mendimin e kohës së tij, duke qenë i gjithi shfaqja shembullore e vetvetes, ky libër nuk mundej ndryshe veçse të shprehej nën një formë namatisje poetike që është e vetmja formë, e cila nuk është gjë tjetër veç vetë mjeti. Ky gjykim i përket sigurisht veprës origjinale, pa pasur parasysh variantet në gjuhë të huaja.

E merret me mend pështjellimi që shkaktojnë përkthimet e pasakta. Pikërisht një rasti të tillë ia kushtojmë vështrimin e mëposhtëm, duke qenë të ndërgjegjshëm që letërsisë shqipe i mungon një kritikë e mirëfilltë, duke mbetur kështu shumë prapa në krahasim me të kaluarën.

Mjafton të kujtojmë atë që gjuhëtari i madh i shqipes, Mustafa Kruja, në artikullin "Kritikë një kritike", botuar në revistën "Përpjekja Shqiptare" (1938), me një toskërishte elegante, nën pseudonimin Shpend Bardhi, shkruante: "Për të kritikuar një tekst shqip, sot mjafton të zgjatësh dorën symbyllur e të marrim cilindo nga botimet e ditës e do të gjejmë lëndë sa të duam".

E është i habitshëm dhe i papranueshëm fakti që sot, pas 71 vjetësh, ky problem jo vetëm që nuk është zgjidhur por, siç i thonë, "ka marrë dhenë"...


Tani e këtu, kemi përpara librin "Kështu foli Zarathustra" të Niçes, dalë në dritë kohët e fundit në libraritë e kryeqytetit; një përkthim në shqip nga Iliriana Angoni dhe Dritan Thomollari; nismë e guximshme kjo për ata që e njohin sado pak kryeveprën niçeane.


Përshtypjen e parë do ta kemi nga ana e jashtme ("fizike") e librit që është e një cilësie të mirë; e "Përshtypja e parë është më natyralja" ka thënë një herë një i mençur. Kopertina është ilustruar me një portret imagjinar që i ngjan një ikone, e ndoshta Krishtit me të cilin, siç duket, Kleida Maluka me "artin grafik" të saj ka dashur të personifikojë Zarathustrën.

Ne e dimë që Niçe ka qenë ateist, e madje ka lënë një vepër me titull "Antikrisht". Megjithatë nuk do ta hedhim poshtë à priori idenë e këtij ilustrimi disi të çuditshëm sepse kemi parasysh thënien e Andre Gide-it: "Niçe ka qenë xheloz ndaj Krishtit, xheloz gjer në marrëzi.

Nuk i mbeti veçse Niçes për të zbuluar nën qefin dhe për të ringjallur një Krisht të vërtetë; por, më shumë sesa të bashkohej me atë, mësimet e të cilit i tejkalonin ato të tijat, ai mendoi të zmadhohej duke e përballuar".


Qoftë edhe për koincidencë, këtë ilustrim mund ta pranojmë si metaforik. Nuk mund ta pranojmë porse shënimin nën titullin e librit sepse është kundërthënës.

Nuk mund të jetë "Botim i plotë" kur shënimi është vënë aty ku është hequr nëntitulli i origjinalit: "Një libër për të gjithë e për asnjë", nëntitull të cilit i ka kushtuar aq vëmendje Heidegger në esenë që është vënë me të drejtë në fillim të veprës.

Pastaj shohim një shënim "sqarues" ku është fjala për një "botim të mëparshëm", por nuk merret vesh cili: për ndonjë botim të vetin apo të tjetrit? Ndryshe nuk ka se si të kuptohet fraza:

"Po rendisim në fillim emrat e pjesëve që i janë shtuar këtij botimi". Ç'është kjo e "shtuar"? Teksti është ai i autorit, e aty as nuk mund të hiqet as të "shtohet" gjë. Po le ta lemë me kaq paraqitjen e jashtme dhe të hymë në brendësinë e librit sipas pjesëve.



Pjesa e parë


Kapitulli i parë që në origjinal ka titullin Vorrede, është përkthyer me fjalën e huaj Prolog, ndërsa ne e kemi fjalën shqipe të saktë:

Parathënie. Ky kapitull është i ndarë në 10 pjesëza në krye të të cilave është vënë nga një numër arabik sipas radhës, (pa titull). Por, për çudi, numrit dy i është vënë si titull rreshti i fundit i numrit të mëparshëm, dhe pikërisht: "Kështu filloi zbritja e Zarathustrës".

Mundet që këtu kemi të bëjmë me ndonjë gabim shtypi, por është i rëndë; i rëndë sepse i hapet shteg interpretimeve të cilat janë gjithmonë në rrezik të gabojnë, e sidomos në tekstet filozofike si te "Zarathustra" ku në më të shumtat e rasteve sensi është i pasigurt, logjika e dyshimtë e, përgjithësisht, mendimi i copëtuar dhe siç thuhet, "proteiforme" (i të gjitha formave).

Pastaj, te pika e 9-të, në paragrafin e dytë lexojmë: ".... jo për shokë të vdekur e kufoma, që t'i mbaj me vete e t'i çoj kudo ku të dua...".

Nga ana gramatikore nuk mund të qëndrojnë bashkë dy ndajfolje të njëjta si p.sh. kudo ku. Mund të thuhet a të shkruhet "kudo që...", "në çdo vend që...", "tekdo që...", "kudo qoftë...", etj, por asnjëherë: "kudo ku".

Pjesa e dytë


Titulli i kapitullit Vom Gesindel është përkthyer "Horrat" që për mua është i diskutueshëm sepse: Së pari fjala shqipe "horr" ka barasvlerëset gjermanisht Halunke, Lump,"Schuft", "armer Teufel", kurse në të gjithë fjalorët e gjertanishëm (ndonëse nuk kemi shumë), gjermanisht-shqip dhe anasjelltas, fjala gjermanishte Gesindel është përkthyer: fundërri, ose llum i shoqërisë.

Po kështu, kapitulli Grablied (Grab=varr, Lied=këngë) pra, në shqip: Këngë varri, në përkthimin që kemi para sysh është "Këngë e përzishme".

Më tej, Von der unbeflekten Erkentnis është Për njohjen e papërlyer (ose të panjollë...) e jo Për ndërgjegjen e pa njollë sepse, në gjermanisht fjala Erkentnis nuk është "ndërgjegje" por "njohje"; siç shihet ka një ndryshim mjaft të madh.

Te kapitulli Poetët, në mes të paragrafit të parë, çuditërisht është futur ky shënim shpjegues: (Aluzion me vargjet përfundimtare të Faustit të Gëtes...); brenda tekstit të veprës, shënimet e përkthyesit?! Me sa dihet shënimet vihen në fund të faqes ose të librit. Kjo gafë është përsëritur edhe në vende tjera të këtij botimi. Pastaj "Profeti".

Jo, Niçe e ka shkruar "Der Wahrsager" që në asnjë fjalor të gjermanishtes nuk e ka kuptimin që i kanë dhënë përkthyesit tanë. Ja p.sh. si e shpjegon këtë term Wahrigu prestigjioz (Deutsche Wörterbuch):

"Wahrsager": sipas besimit popullor, parathënës i së ardhmes i cili bazohet në fluturimin e shpendëve, në vijat e pëllëmbës së dorës apo në letrat e bixhozit"; pra, shkurt: "falltar" e jo "profet".

Ndërsa fjala "profet" po në këtë fjalor, ka kuptimin që kanë gjithë fjalorët e gjuhëve tjera e që është me kuptimin fetar: njeri i dërguar nga Perëndia, siç thuhet në Kuran për Muhametin.

Kështu që, jo kushdo që thotë "profeci" është profet. Megjithatë këtu mund të ketë vend për diskutim dhe do të isha i kënaqur t'u jepja të drejtë kundërshtarëve vetëm për hir të së vërtetës.

Pjesa e tretë


"Die Heimkehr" nuk është "Rikthimi" por "Kthimi në shtëpi" ose "Kthimi në Atdhe" (Heim=shtëpi; +kehr=kthim). Mund të përkthehet thjesht "Kthimi" pa parashtesën -ri që presupozon përsëritjen e një veprimi.

Në paragrafin e 11 të këtij kapitulli është futur përsëri një shënim shpjegues që është krejtësisht i palejueshëm. Kapitulli që në origjinal është Von alten und neuen Tafeln është përkthyer "Për rrasat antike dhe të reja të ligjeve". Së pari, fjala gjermanishte Tafel nuk mund të vijë në shqip: Rrasë, e kjo sepse ne i kemi fjalët e sakta korresponduese:

Tryezë (e bukës, e zyrës etj...), Dërrasë e zezë, tabelë, pllakë. Në gjuhën shqipe fjala "Rrasë" tregon një pllakë guri që vehet në varr, çati, oborr, rrugë etj... Kurse në origjinalin që kemi parasysh, nuk është aspak fjala për ndonjë send të tillë.

Pastaj, pse të shtohet fjala "...e ligjeve" kur nuk është përdorur nga autori? Në përkthimin italisht p.sh. është thjesht Tavolo, në atë frëngjisht Table, e besoj që edhe në gjuhët e tjera nuk është ndryshe.

Në kapitullin tjetër të kësaj pjese: "Kënga e dytë e vallëzimit" në origjinal është "Das andere Tanzlied", që do të thotë "Kënga tjetër e vallëzimit" e jo "Kënga e dytë..."


Pjesa e katërt


Emërtimit të kësaj pjese i mungon përcaktimi që ka vënë autori, kështu që do të ishte: Pjesa e katërt dhe e fundit. Duhet ditur që stili i Niçes është konçiz të cilit nuk mund t'i heqësh as t'i shtosh gjë.


Kapitulli "Das Honig-opfer" në shqip është kthyer "Kurban i mjaltit". Fjala "kurban" e përdorur tashmë më shumë në biseda se në shkrime, ka prejardhje fetare, p.sh. Kurban Bajrami (arabisht apo turqisht?).

Në gjuhën tonë të folur, shprehjet "M'u bëfsh kurban...", "T'u bëfsha kurban..." janë vulgare dhe nuk mund t'i përgjigjen stilit të lartë poetik të Niçes.

Gjuha e jonë e mrekullueshme i ka të gjitha mundësitë për të qëndruar në atë lartësi. Ne i kemi fjalët e posaçme: Fli ose Therori të cilat i përgjigjen saktësisht fjalës gjermanishte "Opfer"; e mund të themi shumë bukur "Flija e mjaltit" apo "Theroria e mjaltit".

Kapitulli i dytë i kësaj pjese që në origjinal është "Der Notschrei" (në shqip saktësisht "Thirrja për ndihmë", përkthyesit tanë e kanë kthyer "Britma e dhembjes"; këtu shihet qartë shtrembërimi, një mospërfillje ndaj origjinalit.

Një kapitull tjetër i kësaj pjese është "Das Abendmahl" që në shqip është thjesht "Darka". Në përkthimin që kemi përpara është shtuar fjala "e shenjtë", pra "Darka e shenjtë".

Si në shumë raste edhe këtu, siç duket përkthyesit kanë pasur parasysh Biblën. Metaforat dhe parabolat e Zarathustrës, në të vërtetë, shumë shpesh janë frymëzuar nga shkrimet e shenjta e, ndoshta pikërisht kur ato janë "përmbysur" dhe kur kuptimi themelor është tjetërsuar.

Vetë Niçe, në një fragment botuar pas vdekjes së tij, shpjegon: "Zarathustra vazhdimisht merr një qëndrim parodik kundrejt vlerave të mëparshme në tërësi.

Mund të thuhej që Zarathustra luan rolin e një farë "përmbysësi" të vlerave fetare dhe të moralit të quajtur "klasik".

Megjithatë shtesa e fjalëve përcaktuese na duket i panevojshëm dhe cenojnë bukurinë e stilit që është karakteristik në veprat e gjeniut gjerman. Më tej kemi kapitullin "Erweckung" që është përkthyer "Rizgjimi"; një parashtesë këtu e pavend.

Ky është një term fetar i shkrimeve të shenjta që në gjuhën shqipe është "Ngjallja"; këtë titull p.sh. mban sot gazeta, organ i Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë. Po të duhej parashtesa që i jep fjalës kuptimin e përsëritjes së fenomenit, në origjinal do të ishte Wiedererweckung, por nuk është kështu.

Siç thamë më lart, nuk e kemi marrë në shqyrtim gjithë tekstin e përkthimit në fjalë; kemi marrë si shembull vetëm disa fjalë a shprehje që na u dukën më tipike për këtë qëllim. E kjo gjë besoj mjafton për të kuptuar se ky përkthim ka shumë shtrembërime fjalësh, shprehjesh dhe interpretimesh që e lenë pa vlerë atë.

E për më tepër duhet të kemi parasysh aforizmën e famshme italiane "Traduttore, traditore" që do të thotë, se më në fund çdo përkthim është fatalisht i rrezikuar të mos jetë besnik, e si rrjedhojë, të tradhëtojë mendimin e autorit të tekstit origjinal.
*Përkthyes

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›