Ridimensionohet “Rruga e hebrenjve”
Gjatë viteve të fundit janë realizuar projekte të rëndësishme për restaurimin dhe mirëmbajtjen e objekteve me vlerë kulturore dhe historike, për ato që janë shpallur “Monument kulture” në rrethin e Vlorës.
Ymer Yzeiri, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës, thotë se projektet janë të financuara nga fondet e qeverisë dhe ministrisë së linjës, me synim ruajtjen dhe ridimensionimin e vlerave. “Për objektet e shpallura “Monument Kulture”, janë realizuar investime të konsiderueshme, të cilat kanë pasur si qëllim rehabilitimin, apo restaurimin e tyre dhe janë financuar projekte, për godinat e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, Muzeut Historik dhe atij Etnografik, rrugës muze “Justin Godard”, “Rrugës së hebrenjve”, kalasë së Kaninës etj.
Investime janë planifikuar edhe për vitin në vazhdim, ku do të ketë një projekt të plotë për “Rrugën e hebrenjve”, e restaurim për disa prej objekteve, që janë shpallur “Monument kulture”. Në rrethin e Vlorës janë të evidentuara 113 objekte me vlerë historike, arkeologjike e kulturore, nga të cilat, më shumë se 75 janë shpallur “Monument Kulture”, që janë ndërtuar në periudha të ndryshme. historike.