E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta e LSI-së, harrohet Gërdeci

Mitingu paralel kishte moton "Berisha ik", por parullat e tij nuk kishin të bënin aspak me tragjedinë

Njëvjetori i tragjedisë së Gërdecit, përveç koalicionit opozitar, ka nxjerrë në shesh edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. Teksa manifestuesit e koalicionit "Për Gërdecin" rrugëtonin ende përgjatë autostradës me flamurin kombëtar, LSI-ja ka nisur protestën e saj në sheshin "Nënë Tereza", me moton "Berisha ik".

Por, megjithëse manifestimi i kushtohej ngjarjes së rëndë, që ndodhi një vit më parë, ku humbën jetën 26 njerëz, asnjë banderolë apo pankartë nuk fliste për atë ngjarje, çka krijonte përshtypjen se ishte një takim elektoral dhe jo përkujtimor.

Duke u ndalur përpara selisë Kryeministrisë, protestuesit kanë hedhur parulla kundër qeverisë, teksa drejtuesit e kësaj force kanë mbajtur fjalimet e pafundme kundër qeverisë.

Në fjalën e tij, kreu i kësaj force, Ilir Meta, është shprehur se qeveria jo vetëm nuk mundi të ndalojë atë ngjarje, por si pasojë e luftës së saj të paskrupullt kundër Prokurorisë dhe organeve të tjera të drejtësisë, ka mbajtur të hapura plagët që shkaktojë ajo, jo vetëm tek ata njerëz që u prekën direkt nga shpërthimi, por edhe tek gjithë shqiptarët që u ka humbur besimi tek mbrojtja e shtetit.

"Ndryshe nga një vit më parë, ne kemi 26 jetë shqiptarësh të humbura, vetëm për shkak të korrupsionit të këtij Kryeministri dhe të kësaj qeverie.

Ne kemi sot jo vetëm 26 plagë të mëdha në familjet e motra dhe vëllezërve tanë të Gërdecit, por kemi me qindra dhe mijëra plagë të hapur jo vetëm në Gërdec, por anembanë Shqipërisë.

Ai që veshi me të zeza nënat e Vlorës, veshi me të zeza edhe nënat dhe motrat tona të Gërdecit", - u shpreh Meta. Për këtë arsye dhe për shumë të tjera, që lidhen me qeverisjen e dobët, Meta ka theksuar se Berisha duhet të ikë, që në këtë vend të mos ketë më fatkeqësi.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›