E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pall-at e ndryshkura



Pas xhamit mikroskopik kërkon të sfidojë proceset natyrore. Askush nuk është fajtor, sipas tij, por puna dhe durimi janë armët më të mira për të kundërshtuar kohën. Specialisti pranë laboratorit të konservimit dhe të arkeometrisë të Qendrës së Studimeve Arkeologjike, Frederik Stamati, po shfrytëzon eksperiencën prej më shumë se 30-vjeçare për të marrë përsipër procesin e ndërhyrjes së shpatave kundrejt ndryshkut. Ai tregon se puna e tij rendit shumë faktorë, por për të na e qartësuar më së miri këtë proces, shpjegon se ka respektuar serinë e llojeve të ndryshme të shpatave në fondin e pasur etnografik. Kësaj here është radha e pall-ave. Stamati na tregon se kjo tip shpate karakterizohet si e veçantë në llojin e saj në Shqipëri, e ndërkohë që vetëm tre prej tyre kanë mundur të përcillen përgjatë laboratorit për t’u restauruar. Një prej tyre është restauruar, njëra ende, ndërsa tjetra, e fundit, është ende në proces konservimi. “Aktualisht kam në dorë shpatën e tipit “pall”, të cilat janë të ndryshme dhe nuk janë bartëse të të njëjtit shkrim. Mora pikërisht këtë tip, pasi doja të përfundoja fillimisht këto lloje shpatash pasi janë të së njëjtës kohë dhe janë një seri”, - shprehet profesor Frederik Stamati, ndërsa na citon edhe një tjetër arsye që e ka tërhequr për të ndërmarrë pikërisht këto lloj objektesh. “Ekzistenca e shpatave të tilla ka edhe një domethënie tjetër. Dikur paska ekzistuar një treg ku shiteshin shpata të kësaj natyre. Ato nuk prodhoheshin në Shqipëri, por vinin nga Turqia”, - thotë specialisti duke na bërë të qartë se nuk bëhet fjalë për shpata luftarake, por shërbenin vetëm për raste ceremonie. “Janë më tepër dekorative, duke u vërtetuar kështu edhe nga mungesa e shenjave në pjesën e tehut, si një pjesë me përbërje prej çeliku të butë”, - shton Stamati. Sipas tij, vlera të tjera të kësaj lloj shpate janë dominimi i shkrimeve, mbartja e datave, që i përkisnin shekullit XIX. Po ashtu në sipërfaqen e tyre kanë gjetur terren edhe emra të ndryshëm, pjesë të poezisë, fragmente nga Kurani etj. Këto dhe dhjetëra shpata të tjera në përkatësi të fondit etnografik përgjatë shekujve janë përballur me probleme të shumta. Ndryshkja është armiku që vjen me kohën, por Stamati kërkon ta ndalojë, edhe pa pasur konditat e nevojshme, të paktën kështu shprehet ai. “Nga koha dhe nga mungesa e konditave të ruajtjes në shekuj, vetë çeliku ka pësuar një koracion (ndryshkje) në pjesët ku ka shkrime të çmuara. Ky është një rezultat që krijohet përmes një metali “fisnik” siç është ari dhe argjendi dhe një metali më pak “fisnik” që mund të jetë hekuri. Kështu që gjatë këtij procesi ari dhe argjendi ruhen, por ndërkohë hekuri korodohet”, - thotë ai. Sipas tij, në këtë mënyrë ndryshkja e hekurit bën që të humbasë lidhja mes dy llojet e metaleve fisnike, nëpër ato kanale ku janë instaluar fijet. Dhe me kalimin e kohës këto shkëputen dhe bien, duke shkatërruar kështu si shkrimin, ashtu edhe motivet mbi këto shpata. “Ne kemi shumë raste që janë zhdukur motivet mbi këto objekte, të cilat i kemi konstatuar si në fondin etnografik, por edhe në muzeumet e rretheve. Në këtë rast, askënd nuk mund të bëjmë fajtor, as drejtorin apo punonjësit e muzeumit, sepse ky është një proces që ndodh vetiu në natyrë. Por gjithsesi, ne duhet ta pengojmë këtë proces që i bën natyra, që të mos ndodhë ndryshkja nëpër objektet e stabilizuara”, - shpjegon specialisti pranë laboratorit të konservimit dhe të arkeometrisë në Qendrën e Studimeve Arkeologjike, Frederik Stamati.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›