Opozita, mijëra në shesh për Gërdecin
Gërdeci, Tirana, por edhe gjithë Shqipëria, kanë mbajtur frymën dje në orën 12 e 20 minuta, teksa ka kujtuar 26 jetët e humbura një vit më parë, si pasojë e shpërthimit tragjik në punishten e demontimit. Një minutë heshtje, melodi funebre e shoqëruar me tinguj violine, shumë dhembje dhe lot pranë kraterit të shpërthimit që mori 26 jetë dhe gjymtoi 300 të tjerë.
Dje, në heshtje të plotë, në këtë vend u bashkuan familjarë e të afërm të viktimave, lideri i opozitës, shoqëruar nga djali i tij, Gregori, drejtues të partive të majta, përfaqësues të sindikatave dhe qindra qytetarë që ndanë mes tyre vuajtjen për ata që nuk janë më.
Ceremonia
Manifestimi qytetar në kujtim të viktimave të Gërdecit, ka nisur pikërisht në vendin e rrethuar të shpërthimit, ku më parë ngrihej punishtja e "vdekjes". Të parët që kanë mbërritur në Gërdec ishin anëtarët e Rrjetit të Vullnetarëve, të cilët janë kujdesur të pajisin me lule të gjithë qytetarët, që kanë marrë pjesë në këtë ceremoni përkujtimore.
Pas tyre kanë ardhur familjarët dhe të afërmit e viktimave, politikanët më të lartë të së majtës, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe të grupeve të interesit.
Pa flamuj partiakë dhe pa asnjë banderolë tjetër, të pranishmit kanë kryer me radhë ritet që i shkojnë përshtat një momenti të tillë të dhimbshëm, duke mbajtur fillimisht një minutë heshtje në kujtim të viktimave.
Jehonë therëse, ka transmetuar mes vargjesh aktorja Luiza Xhuvani, veshur në të zeza, duke lënë pa frymë qindra të pranishëm në ceremoninë përkujtimore të njëvjetorit të tragjedisë së Gërdecit.
Pas saj, në një radhë të pafundme, politikanë, familjarë, të rritur e fëmijë kanë vendosur kurora dhe lule përtej shiritit, që ndan zonën e sigurisë nga zona pranë kraterit të shpërthimi që ende paraqet rrezik për jetën.
Kaq ka mjaftuar për të mbyllur pjesën e parë të këtij manifestimi, që do të vazhdonte pothuaj gjithë pasdites, duke marshuar përgjatë autostradës Vorë-Tiranë dhe për t'u mbyllur me protestën, me moton "Mos Harro" përpara Kryeministrisë.
Marshimi
Shoqata "Gërdeci", anëtarët e së cilës janë njerëzit e prekur direkt nga kjo tragjedi, ka qenë e para që ka nisur maratonën e gjatë të marshimit drejt Tiranës.
Ata kanë shpalosur flamurin gjigant me sloganin "Ndryshim", për të kujtuar njerëzit se ky vend ka nevojë për një qeveri ndryshe nga ajo që krijoi Gërdecin. Kështu, ka startuar faza e dytë e protestës, ajo e përcjelljes së flamurit me shqiponjën dykrenore drejt Tiranës.
Në pjesë të ndryshme të autostradës, flamuri i përmasave të mëdha ka kaluar në duar të grupimeve të ndryshme, që i janë përgjigjur thirrjes së socialistëve për të krijuar së bashku koalicionin qytetar, përtej ngjyrave partiake, por vetëm me simbolet tona kombëtare.
Pas shoqatës "Gërdeci", flamuri ka kaluar në duart e ushtarakëve të liruar, më pas tek grupimi i sindikatave, tek minatorët, grupimi i grave nëna dhe motra, që ndjenjë dhimbje dhe në shenjë solidariteti iu bashkuan nismës për të rrugëtuar në tre km autostradë.
Më pas, emigrantët, njerëz që duan që ky vend të ketë një të ardhme dhe e ardhmja e përbashkët të ngrihet në këtë vend dhe jo jashtë kufijve, edhe kjo shtresë ka marrë në duar flamurin kombëtar me një emocion të veçantë. Veteranët, edhe pse në moshë të thyer, nuk kanë hezituar të jenë pjesë e këtij rrugëtimi të flamurit nga Gërdeci deri në Kryeqytet.
Edhe pse kanë përshkruar pak rrugë, ata përsëri në mënyrë simbolike kanë dhënë kontributin e tyre, si për të dhënë edhe ata mesazhin se, vetëm vendosja e drejtësisë do mund të shërojë plagët që u hapën një vit më parë.
Vullnetarët e Bashkimit të Ri për Ndryshim përshkruan një pjesë tjetër të rrugës, deri në hyrje të Tiranës, për t'ua lënë stafetën përfaqësuesve të partive politike, që u bënë pjesë e koalicionit për Gërdecin, të cilët kanë përcjellë flamurin deri në sheshin "Skënderbej".
Kronologjia
Ora 12: 00 - Nis grumbullimi i njerëzve, që kishin ardhur për të përkujtuar 26 viktimat e tragjedisë, ndërsa anëtarët e rrjetit të vullnetarëve të PS-së, shpërndanin lule për ta.
Ora 12:17- Në vendin e rrethuar të shpërthimit, mbërrijnë me radhë; kreu i PS-së, Edi Rama, i shoqëruar nga i biri, Gregori; kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi; ai i PDS-së, Paskal Milo; ai i G99-ës, Erion Veliaj, si dhe politikanë të shumtë të së majtës.
Ora 12: 20 - Nis ceremonia homazh për viktimave të tragjedisë
Ora 12: 24 - Mbahet një minutë heshtje në kujtim të 26 vdekurve.
Ora 12: 25 - Luhet një pjesë muzikore funebre me violinë
Ora 12: 27 - Aktorja dhe anëtarja e Asamblesë Kombëtare të PS-së, Luiza Xhuvani, reciton një poezi dhimbjeje, kushtuar kësaj ngjarjeje.
Ora 12: 34 - Rama, dhe më pas liderët e së majtës dhe të gjithë të pranishmit, vendosin kurora dhe lule në hyrje të zonës së ndaluar dhe të rrethuar nga ushtria.
Ora 12: 40 - Mbyllet ceremonia në Gërdec dhe nis largimi i të pranishmëve.
Ora 12: 55 - Nis marshimi drejt Tiranës. Të parët që marshojnë dhe mbajnë në duar flamurin gjigant, janë anëtarët e shoqatës "Gërdeci", dhe pas tyre me radhë të gjitha grupet e interesit, që janë bërë pjesë e këtij manifestimi.
Ora 17: 13 - Në sheshin "Nënë Tereza" nis protesta e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Ora 17: 20 - Protestuesit e LSI-së pozicionohen përpara Kryeministrisë, ku për më shumë se një orë, drejtuesit e saj kanë kërkuar largimin e Berishës.
Ora 18: 22 - Mbaron protesta e LSI-së, pjesëmarrësit shpërndahen qetësisht.
Ora 18: 34 - Në sheshin "Skënderbe", mbërrin flamuri gjigant, nis protesta e Partisë Socialiste dhe koalicionit për Gërdecin.
Ora 19: 30 - Turma e protestuesve nisen drejt Kryeministrisë.
Ora 19: 35 - Protestuesit mbërrijnë përpara Kryeministrisë, teksa Rama ka mbajtur fjalën e tij.