“Living Together”, art në debatin social
“British Council” në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve - Drejtoria e Koordinimit të Politikave Rinore dhe Galerinë Kombëtare të Arteve, organizojnë ekspozitën fotografike me temë “Living Together”, që do të çelet të martën në mbrëmje në mjediset e GKA-së. Kjo ekspozitë është eventi përmbyllës i një projekti dyvjeçar të “British Council” në Evropën Juglindore, që synoi të eksploronte multidimensionin e dialogut ndërkulturor në Evropë moderne, duke punuar në disa sfera njëherësh; studim fenomeni dhe dialog institucional, arsimin dhe zhvillim kurrikule dhe së fundmi duke eksploruar nëpërmjet artit të fotografisë mbi çështje të kohezionit social, multikulturalizmit, migrimit dhe bashkëjetesës. Të gjitha këto iniciativa u harmonizuan në kuadër të Vitit Evropian të Dialogut Ndërkulturor të shpallur nga Këshilli i Evropës. Elementi artistik në debatin social nuk është një risi tashmë, por ndërthurja e disa kontributeve përfshirë edhe amatorë në finalizimin e kësaj ekspozite. Punimet e ekspozuara janë më të mirat jo vetëm të artistëve profesionistë, që punuan në këtë projekt (Alban Hajdinaj, Shpëtim Kërçova dhe Idlir Koka), por pasurohen nga këndvështrimi origjinal i të rinjve të angazhuar me projektin nëpërmjet formave të ndryshme si Konkurs i Fotografisë Dixhitale, Konkurs i Fotografisë mes shkollave dhe eventi “Treasure Hunt” (Gjej thesarin) i organizuar nga “British Council” në muajin nëntor 2008.
Nga 60 punimet e paraqitura, rreth 20 vijnë nga të rinj të moshës 15-35 vjeç, nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe nga jashtë vendit. Këndvështrimi i tyre konsiderohet i rëndësishëm, sepse është premisë për ndryshimet e kërkuara.