E Diel, 1 Nëntor 2026

Nora: Duhet të rregullojmë sa më shpejt shënjestrat

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Sulmuesi gjirokastrit thekson se Luftëtari humbi një thes me gola në Skrapar dhe kjo dramë nuk duhet të përsëritet në vazhdim

Luftëtari regjistroi në Skrapar me ekipin vendës ndeshjen e tretë pa shënuar gol. Ekipi kryesues humbi 2 pikë, duke realizuar barazimin e dytë në këtë kampionat, ndërkohë që ka po aq humbje, por koleksionon 13 fitore, numër ky që edhe një herë u tregua ters. Themi kështu, sepse në Skrapar ishte superior, por i pafat.

Gjirokastritët goditën dy herë traversën në fushën e Çorovodës, ku pati edhe një gol të anuluar dhe patjetër duhet vlerësuar portieri i vendësve. Por ajo që duhet theksuar është se në ndeshjen e fundit u shfaq sëmundja e vjetër, humbja e rasteve, ku fare të pastra ishin 3, gjëra që në fakt janë të pashmangshme në ndeshjet e futbollit.

Kësisoj, Luftëtarit nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të shikojë përpara. Shtyrja e ndeshjes me Kukësin nga 24 dhjetori 2011 për më 14 mars 2012, bën që në vazhdim ky ekip të këtë dy ndeshje radhazi në fushën e tij. Fillimisht gjirokastritët do të presin Besëlidhjen, që u ka shkaktuar humbjen e parë këtë kampionat, dhe më pas Kukësin, me të cilin do të ndeshen për herë të parë në historinë e tyre në kuadër të kampionateve. Pas tyre Luftëtari ka 2 duele radhazi jashtë fushe me Elbasanin dhe Lushnjën. Pra, janë 4 ndeshje me kryesuesit, që janë edhe ekipe me tradita, që ndodhen në kategorine e parë.

Nora Golashënuesi më i mirë i Luftëtarit, Arlind Nora, i cili u fut si zëvendësues në minutën e 51-të në ndeshjen me Skraparin, shprehet: Kemi humbur 2 pikë me Skraparin, pasi kemi humbur një thes me gola, gjë që në futboll ndodh. Është më se e qartë se duhet të fitonim, por kjo ndeshje nuk përsëritet dhe duhet të përqendrohemi në ndeshjet që kemi përpara, duke nxjerrë  konkluzionet përkatëse nga ky barazim, që për ne është më keq se aq, duke marrë parasysh pozicionet e dy ekipeve.

Ajo që duhet të bëjmë, duke filluar që në ndeshjen me Besëlidhjen, është të rregullojmë shënjestrat. Jam i sigurt se nuk do të përsëritet drama e Skraparit, aq më tëpër që dy ndeshjet e radhës i kemi  në fushën tonë me dy nga tre ndjekësit më të  afërt, Besëlidhjen, që na ka mundur në fushën e saj, dhe Kukësin.

Me këtë të fundit do të luajmë ndeshjen e shtyrë nga faza e parë. Është momenti për të treguar vlerat raele të ekipit tonë dhe kjo bëhet duke shfaqur karakter të fortë, si në shumicën e ndeshjeve të deritanishme. Patjetër që do të bëj gjithë përpjekjet për të shënuar, por më esencialja është të fitojmë, gjë që them se vërtet do ta realizojmë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›