E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legjenda Benjamin Button mbërrin në kinema

Historia e një plaku-fëmijë mes dashurisë, jetës dhe vdekjes. Një tregim i Fitzgerald që pas 40 vjetësh në sirtarët e Hollivudit gjeti më në fund ekranin e madh. Pasi është përfolur në mbarë botën dhe shfaqur në shumë kinema, historia e çuditshme e Benjamin Button, The Curious Case of Benjamin Button mbërrin edhe në kinema Millennium, në Tiranë. Romanca dramatike, e mbushur me mister ka filluar të shfaqet në ekranin e kinemasë. Seanca e parë e filmit të shumëpritur nga publiku shqiptar u shfaq në orën 20.30 për tia lënë vendin fundjavës me projeksione të plota të njërit prej titujve më bombastikë të vitit, fitues i tre çmimeve Oscar dhe 89 çmimeve e kandidimeve të tjera. Një superprodhim faraonik, prej 150 milionë dollarësh, që sjell magjinë e artit dhe shkencës në ekranin e madh brenda 166 minutave. Në Nju Orlins, në Luiziana, njerëzit kanë dalë në rrugë për të festuar mbarimin e luftës së parë botërore por edhe për të pritur një fëmijë që ka lindur me pamjen e një plaku 80 vjeçar. I refuzuar dhe i braktisur nga babai,  Benjamin rritet nga një nënë që e ka birësuar dhe fillon të krijojë përvojën e tij. Nën një tavolinë të ndriçuar nga drita e zbehtë e një qiriu, ai dashurohet për gjithë jetën me Dejzin, dhe duke jetuar jetën e tij, do të zhvillojë dashurinë e tyre. Kjo është historia e një filmi i cili për 40 vjet mbeti në sirtarët e Hollivudit, vetëm si një tregim i Francis Scott Fitzgerald. Ndonëse tentativat e regjisorëve më të mëdhenj si Steven Spielberg, Spike Jonze apo Ron Hawrd nuk munguan asnjëherë, filmi dukej si një ëndërr e largët. Derisa regjisori David Fincher dhe skenaristi i Forest Gump, Eric Roth ia dolën që të fusnin jetën e pazakontë të Benjamin Button në pelikul. I përshtatur nga tregimi me të njëjtin titull, Benjamin Button arrin që ti tregojë spektatorit, një plak - të ri dhe një të ri plak që jeton çastet e jetës. Gjithçka që ndodh është e vendosur në një kontekst historik që shërben më shumë si një sfond. Në gati tre orë shihet procesi i kundërt i jetës së Button, por përtej lojës së kohës, mbetet në mendje emocionet dhe ndjenjat e protagonistit ashtu siç thotë vetë ai me një nga batutat e tij: Jeta nuk matet me minuta, por me çaste. Në rolin e Benjamin Button luan aktori Brad Pitt ndërsa dashuria e tij e përjetshme, Dejzi është interpretuar nga Cate Blanchett. Me një buxhet të jashtëzakonshëm prej 150 milionë dollarësh, një staf po aq të jashtëzakonshëm teknik, por sigurisht me një kast aktorësh për tu admiruar, filmi ia doli të tërhiqte vëmendjen e publikut dhe të kritikës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›