Përplasen tri automjete në autostradë, vdesin dy të rinj
Aksidenti, pranë Sukthit, plagosen edhe katër të tjerë
Policia: Shkak i aksidentit, shpejtësia tej normave e automjeteve
Një aksident i rëndë i ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës ka marrë jetën e dy të rinjve, ndërkohë që katër persona kanë mbetur të plagosur. Shkak i këtij aksidenti ka qenë përplasja e automjeteve me të cilat ata po udhëtonin. Ky ka qenë bilanci i orëve të para të mëngjesit të djeshëm për policinë e qytetit bregdetar, të cilët konfirmuan faktin dhe publikuan detaje rreth tij. Sipas burimeve zyrtare policore, ngjarja ndodhi dje rreth orës 01:00 të mëngjesit në segmentin ndërmjet Sukthit dhe Urës së Dajlanit, konkretisht në vendin e quajtur “Shën Vlash”. Tri automjete janë përplasur me njëri-tjetrin, duke shkaktuar 2 viktimat dhe katër të plagosurit. Burime policore nga Durrësi bënë të ditur se si pasojë e përplasjes kanë gjetur vdekjen e menjëhershme shtetasit Alban Sollaku, 20 vjeç nga Kruja dhe Jetmir Mazreku po i moshës 20 vjeç, banor i Durrësit, të cilët kanë qenë duke udhëtuar në të njëjtin automjet. Sipas policisë, Mazreku ishte dhe drejtuesi i njërit prej automjeteve, tip “Golf” me targë AI 518 CS që u përplas me automjetin tip “BMW” TR 55224N që drejtohej nga shtetasi Kujtim Troci nga Tirana. Por, sipas policisë që ka shkuar menjëherë në vendngjarje, përplasjes me dy automjetet nuk i ka shpëtuar as automjeti pas tyre i tipit “Seat” DR 1491 E, me të cilin po udhëtonin shtetasit Edmond dhe Hysen Barushi. Nga të njëjtat burime mësohet se të plagosur kanë mbetur shtetasit Edmond Barushi, Teo Alikollari, Hysen Barushi dhe Kujtim Troci të cilët janë dërguar me urgjencë për t’iu dhënë ndihma e parë në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Policia, e cila shkoi menjëherë në vendngjarje, vazhdon të hetojë për shkaqet e këtij aksidenti të rëndë. Nga hetimet paraprake dyshohet se shkak mund të ketë qenë shpejtësia e të tre automjeteve. Sipas policisë, shkak i aksidentit ka qenë mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor nga 3 automjetet, të cilat lëviznin në drejtimin Durrës-Tiranë.
Viktimat e aksidentit
Alban Sollaku, 20 vjeç, banor i Krujës
Jetmir Mazreku, 20 vjeç, banor i Durrësit
Të plagosurit
Edmond Barushi, 20 vjeç
Teo Alikollari, 25 vjeç nga Durrësi
Hysen Barushi, 22 vjeç nga Durrësi
Kujtim Troci, 46 vjeç nga Tirana