E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gaboi EULEX’i

Shefi i Grupit parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci thotë se EULEX’i ka krijuar huti të panevojshme. Sipas tij, kërkesa për sqarimin e imunitetit është dashur t’i drejtohet Kryesisë së Kuvendit dhe me të të merren edhe grupet parlamentare. Ndërkaq, avokati Tomë Gashi thotë se dikush dëshiron ta eliminojë Fatmir Limajn nga skena politike Nga Valmir Klaiqi më 18 korrik 2011 në ora 07:30

Shefi i deputetëve të PDK’së, Adem Grabovci thotë se Misioni i BE’së për sundim të ligjit duhet t’u drejtohet me kërkesën për sqarim të imunitetit të gjithë anëtarëve të Kryesisë së Parlamentit, sepse kjo çështje nuk i takon vetëm kryeparlamentarit Jakup Krasniqi.

Kryeparlamentari të premten i ka shkruar EULEX’it se Kuvendi nuk ka nevojë të obligojë Qeverinë që të kërkojë nga interpretim të imunitetit të deputetëve. Krasniqi i ka dërguar Misionit të BE’së interpretimin që Zyra ligjore e Kuvendit i ka bërë kërkesës së EULEX’it.

Mirëpo, Shefi i Grupit parlamentar të PDK’së thotë se me këtë kërkesë duhet të merren të gjitha grupet politike në Kuvend.

“Kjo nuk është çështje që i takon vetëm kryetarit të Kuvendit, një grupi apo një individi, por është çështje e një institucioni. Prandaj, ajo duhet të dërgohet në Kryesi, me qëllim që asnjë anëtar i Kryesisë mos ta ndijë veten komod, por të gjithë ta dimë përgjegjësinë për institucionin. Pastaj ne si shefa të grupeve parlamentare automatikisht jemi të obliguar që këtë çështje ta ngremë në grupe parlamentare dhe grupet marrin qëndrimet e veta në Kuvend. Këto janë procedura që ne duhet patjetër t’i respektojmë”, ka thënë Grabovci, të dielën për Express.

Ai shtoi se këtë qëndrim e ka shprehur në vazhdimësi. “Unë kam folur edhe në Kryesinë e Kuvendit, por edhe në biseda që kam pasur me miqtë ndërkombëtarë, kur kemi folur për këtë çështje, u kam thënë se kjo nuk është çështje që i takon një individi, një grupi, apo një partie, por është çështje institucionale dhe institucionet duhet ta thonë fjalën e tyre”.

Meqenëse bëhet fjalë për imunitetin e deputetëve, ai vlerëson se me këtë fillimisht duhet të merret Parlamenti.

“Përderisa kemi të bëjmë me anëtar të Kuvendit, normalisht Kuvendi është i obliguar ta bëjë bëj kërkesën në organet përkatëse, qoftë Presidencës, qoftë Qeverisë, e pastaj Qeveria të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese që ta bëjnë interpretimin e kësaj çështjeje”, tha ai.

Sipas tij, EULEX’i ka pasur një qasje të gabuar dhe se nuk ka kërkesë për heqje të imunitetit për ndonjë deputet të caktuar.

“Interpretimi që kërkohet është se për çka kanë dhe për çka s’kanë imunitet deputetët e Kuvendit të Kosovës. Qartësimi i kësaj mjegulle mendoj se është në interesin e çdo deputeti. Unë personalisht nuk jam dakord që të jem deputet pa imunitet, sepse dua ta kem imunitetin që më takon si përfaqësues i popullit”, tha ai.

“Çështja e imunitetit të deputetëve është shumë qartë e përshkruar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, është qartë e përshkruar edhe me Rregulloren e Parlamentit, por meqë është krijuar kjo huti tani, është e domosdoshme me pasë një interpretim apo qartësim. Këtë interpretim nuk mund ta bëjë askush tjetër, përveç Gjykatës Kushtetuese”, ka shtuar Grabovci.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës Express)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›