E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paligjshëm e quajnë veten universitete

Nga Express më 17 korrik 2011 në ora 18:50

Shumica e institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë nuk janë duke respektuar ligjet dhe vendimet në fuqi të institucioneve. Shkeljet që bëjnë këto institucione janë të shumta, por njëra prej tyre është edhe paraqitja në opinion si universitete. Zyrtarët e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe ekspertët e arsimit vlerësojnë se kjo paraqitje e institucioneve private të arsimit sikur të ishin universitete, është mashtrim dhe shkelje e ligjit.

Çdo ditë shohim mbishkrime, prezantime, madje edhe vetë studentet thonë se studiojnë në universitetet private, por këto institucione që prezantohen si universitete e vazhdojnë këtë fushatë të paraqitjes së tyre paligjshëm. Kjo situatë ka ardhur, pasi që institucionet përgjegjëse për dy vite nuk ka marrë asnjë hap të implementojnë ligjin dhe vendimet qeveritare.

Drejtori për Arsimin e Lartë në MASHT, Naim Hasani ka thënë për Kosovapress se vendimi që institucionet private të arsimit të lartë të quhen kolegje ka ardhur nga kryeministri i Kosovës pas rekomandimeve të Agjencisë së Akreditimit dhe derisa nuk ka ndonjë vendim tjetër vetëm ky emërtim është i ligjshëm.

“Në fakt ne bazohemi në vendimin e kryeministrit që është marrë përpara që të gjithë bartësit e arsimit të sektorit privat mos të jenë universitete, por të jenë kolegje. Edhe unë besoj se duhet të ketë përgjegjësi secili institucion bartës i arsimit të lartë, i cili në fakt deklarohet se është universitet. Ne duhet ta zbatojmë vendimin e kryeministrit, domethënë të gjitha këto institucione private janë kolegje”, sqaron Hasani.

Dihet se MASHT është duke u angazhuar që institucionet private të arsimit të plotësojnë kriteret dhe nga emërtimi kolegje, të quhen universitete, ashtu siç edhe parashihet me ligj.

Mirëpo derisa nuk plotësohen kushtet dhe të jepet një vendim nga Agjencia e Akreditimet, paraqitja në opinion e kolegjeve si universitete është shkelje e ligjit dhe mashtrim.

Hasani thotë se para se të ndërmarrin ndonjë hap duhet të shikohet ana ligjore se çka mund të bëjë ministra në këtë aspekt, apo duhet që ndonjë institucion tejtër të intervenoj.

“Çdo student i cili përfundon studimet atje do të merr një diplomë kolegji, nuk do të merr një diplomë universiteti. Ai mund ta ketë edhe emrin ose një person emrin universitet, mirëpo në realitet në bazën ligjore ai është kolegj. Ajo që thoni ju që ne të ndërmarrim ë diçka atëherë ne sigurisht duhet të konsultohemi edhe me anën ligjore se çka mund të ndërmarrim që ne t’ia heqim atë shkrim universitet. Unë besojë se të gjithë ata që duan të studiojnë nëpër këto kolegje private duhet në radhë të parë të konsultohen, duke filluar nga familja deri te institucionet dhe ne jemi të hapur për të gjithë dhe do të sqarojmë se ato janë në bazë të një vendimi të kryeministrit janë kolegje”, është shprehur ai.

Kurse eksperti për arsimin e lartë në Kosovë, Dukagjin Popovci vlerëson se kolegjet duhet t’u përmbahen emërtimeve që kanë zyrtarisht dhe mos të ndjehen të nënvlerësuara. Ai tha se me rëndësi është që kolegjët të ngrisin nivelin e cilësisë.

“Institucionet nëse janë të licencuara si kolegje ato duhet t’i përmbahen emërtimit i cili iu është dhënë, por nuk duhet në asnjë moment të ndihen të nënvlerësuara që emri i tyre është ndryshe”, ka thënë Popovci.

Ndërkaq profesor Jonuz Salihu ka thënë për Kosovapress se kolegjet private përveç që shkelin ligjin me mbishkrimet ‘universitet’, më shumë brengosëse është edhe cilësia që kanë ato institucione.

“Ka mbishkrime të cilat në të vërtet e shkelin ligjin, sepse nëse je akredituar si kolegj duhet të jesh kolegj e jo universitet. Sigurisht që Agjencioni i Akreditimit duhet të ketë parasysh këtë dhe të merr masa ndaj atyre që praktikisht i kanë shkel vendimet e këtij agjensioni”, ka thënë Salihu.

Në anën tjetër përfaqësuesit e disa kolegjeve, të cilët e kanë emërtuar veten si universitet, sië është Fama dhe UBT nuk duan të flasin për këtë çështje, kurse përkundër asaj që Agjencia e Akreditimit edhe AAB-në e ka klasifikuar si kolegj, rektori i këtij institucioni, Lulzim Tafaj thotë se pas vendimit që institucionet private të jenë kolegje, ata kanë marr një vendim tjetër që i bënë universitet.

Këshilli Kombëtar i Cilësisë qysh më 6 korrik 2010 i ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës se asnjë bartës privat i arsimit të lartë nuk i përmbush kriteret për të bartur emrin universitet. Këtë rekomandim e ka bërë vendim kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe që atëherë nuk ka ndonjë ndryshim. Në këtë vendim në pikën e tretë, thuhet se në përputje me rekomandimet emrin kolegj e bartin AAB-Rinvest, Fama, Viktory ,UBT dhe Iliria, që të gjitha këto kolegje në forma të ndryshme e ndërlidhin edhe emërtimin universitet. (KosovaPress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›