E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjeneva kërkon ndërhyrje në FAN-in e Podujevës

Nga Express më 18 korrik 2011 në ora 08:00

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Metalistëve, Jyrki Raina, ka reaguar për shkeljen e të drejtave të punëtorëve që po ndodh në fabrikën FAN të Podujevës.

Ai i është drejtuar kryeministrit të Kosovës me një letër, ku kërkohet që të angazhohen në arritjen e një marrëveshjeje mes menaxhmentit dhe punëtorëve të fabrikës së armaturave ndërtimore FAN në Podujevë.

Letra i është dërguar edhe presidentes së Kosovës, Atifete Jahajga, dhe kryeparlamentarit Jakup Krasniqi...

Federata e Metalistëve u rikujton institucioneve të vendit se punëdhënësi i ka shkelur të gjitha marrëveshjet në raport me punëtorët e fabrikës FAN në Podujevë.

Kjo është njëra nga ndërmarrjet e privatizuara me ‘spinof special’, ka qenë e obliguar që të mbajë me pagesë për pesë vjet të punësuarit në këtë fabrikë.

“Kjo periudhë përfundon për tre muaj. Është edhe një marrëveshje e arritur në mes të punëtorëve dhe punëdhënësit, me kohëzgjatje njëvjeçare, e cila përcakton se nëse punëtori për shkak të punës së pamjaftueshme punon më pak se një muaj, rroga e tij prej 250 euro zbret në 150 euro. Shihet qartë se punëdhënësi ka shkelur edhe këtë marrëveshje”, thuhet në letër.

“Pagat janë zvogëluar vetëm për një ditë që ata nuk kanë punuar gjatë një muaji. Për më tepër, disave prej punëtorëve u është zvogëluar paga në 130 euro”.

Unioni i Metalistëve kërkon që pagat e reduktuara ilegalisht të paguhen në tërësi, që kontrata e punëtorëve të vazhdohet në një periudhë të pacaktuar dhe pagat të rriten në 380 euro. Kompania i ka hedhur poshtë kërkesat për pagat, por ka pranuar të vazhdojë kontratat për të punësuarit edhe për tre muaj.

Të ballafaquar me mungesën e dëshirës së punëdhënësit për të negociuar, 48 punëtorë të kësaj fabrike janë hedhur në grevë para tre muajve dhe dy prej tyre kanë hyrë në grevë urie para një jave. Punëdhënësi është munduar që ilegalisht të punësojë punëtorë të tjerë dhe është gjobitur me 200 euro.

“Jeta e dy grevistëve, por edhe e punëtorëve të tjerë është shumë e rëndë. Si çështje me urgjencë ne thërrasim autoritetet e Kosovës që të marrin të gjitha masat e duhura që punëdhënësin ta sjellin në tryezën e bisedimeve dhe të garantojnë një marrëveshje lidhur me pagat dhe kushtet e punës për punëtorët e fabrikës FAN.

Ne kërkojmë që punëdhënësi të sillet në përputhje me standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Punës dhe të respektojë rregullat themelore dhe parimet e dialogut social. Kjo duhet të jetë në përputhje me përpjekjet e Kosovës që të afrohet sa më afër Bashkimit Evropian. Ne presim veprime të shpejta lidhur me këtë çështje”, thuhet në letrën dërguar krerëve më të lartë të institucioneve kosovare nga Federata Ndërkombëtare e Metalistëve, me seli në Gjenevë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›