Telashe me procedura
Familjes së Skënder Hysenajt që jeton në Zvicër i kanë dështuar pushimet verore për sivjet në Kosovë. Ata nuk kanë mundur të vijnë, për shkak se u janë vonuar pasaportat e reja të Republikës së Kosovës. Skënderi, përveç procedurave të tejzgjatura të shërbimeve të Konsullatës së Kosovës në Zurich, ankohet edhe për papërgjegjësinë e punëtorëve që punojnë aty, për shkak se nuk i kanë treguar drejt se sa kohë merr nxjerrja e një pasaporte.
“Më 25 maj të këtij viti kemi aplikuar në Konsullatën e Kosovës në Zurich për pasaporta. Na kanë thënë që maksimum për gjashtë javë i marrim”, shkruan Skënder Hysenaj në një letër drejtuar Gazetës Express.
Ai tregon se kanë llogaritur se do të pajisen me pasaporta deri më 6 korrik, ndërsa kishin planifikuar të nisen për në Kosovë tri ditë më vonë.
Mirëpo, pasaportat nuk u janë bërë as deri të dielën, më 17 korrik. Skënderi tregon se shërbyesit në konsullatë u kanë thënë se afati i pritjes është 60 ditë, por as pas kësaj kohe nuk ka asnjë shenjë se pasaportat e tyre do të jenë gati. Për këtë arsye, shtetasi i Kosovës që jeton në Zvicër, i dëshpëruar nga ajo që i ka ndodhur, kërkon që këto procedura të ndryshojnë sa më shpejt. Në realizimin e kësaj kërkese, Skënderi nuk është i vetëm.
Ndryshim të procedurave për marrje më të shpejtë të dokumenteve për shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit ka kërkuar edhe Ibrahim Makolli, ministër për Diasporë.
Makolli thotë se këto procedura janë shumë të gjata. Gjatë vizitës që ka pasur në Zvicër, ai e ka parë me sytë e tij si mërgimtarët presin gjatë dhe procedurat aktuale janë të panevojshme. Këto procedura janë të rregulluara me një udhëzim administrativ, të cilin Makolli ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme që ta ndryshojë.
“Unë kam vërejtje në mënyrën se sa gjatë mërgimtarët duhet të presin për dokumente nëpër konsullatat tona nëpër botë. Andaj, kërkoj që të rishikohen procedurat”, thotë Makolli për Express.
Ideja e ministrit të Diasporës është që shtetasit që jetojnë jashtë vendit, të kenë mundësi të aplikojnë përnjëherësh për letërnjoftim dhe për pasaportë. “Të dhënat janë të njëjta si për letërnjoftim, ashtu edhe për pasaportë. Po ashtu, duhet t’u jepet mundësia atyre që të aplikojnë në formë elektronike dhe procedurat e zgjatura të eliminohen krejtësisht”, thekson Makolli.
Ai tregon se ka vërejtur defekte të shumta edhe nëpër konsullata, sa u përket shërbimeve në to.
Duket se fjala e Makollit është marrë parasysh nga Ministria e Punëve të Jashtme. Që nga muaji qershor, bashkatdhetarët kanë mundësi që të aplikojnë njëkohësisht për letërnjoftim dhe pasaportë. Mirëpo, kur kërkesat e tyre vijnë në Kosovë, lëndët ndahen.
Sipas Jetmira Bërdynajt, drejtoreshë në Departamentin për Shërbime Konsullore në MPJ, trajtimi bashkë i të dy kërkesave është i pamundur. “E tillë është baza ligjore dhe ne nuk mund ta ndryshojmë atë”, thotë Bërdynaj për Express.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës Express)