E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK: Krasniqi po e forcon rendin e rrugës

Nga Express më 18 korrik 2011 në ora 13:23

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka akuzuar ministrin e Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit, Memli Krasniqi dhe “ekipin e PDK-së të instaluar në këtë ministri” se po vazhdon të shkelë ligjet e shtetit dhe të sillet pa asnjë kulturë dhe etikë.

“Dy veprimet e fundit të paligjshme të Ministrit janë emërimet e Këshillave të Teatrit Kombëtar dhe të Galerisë së Arteve të Kosovës. Këshilli i Teatrit Kombëtar të Kosovës ka mandat deri në vitin 2013, ndërsa ai i Galerisë së Arteve të Kosovës deri në vitin 2012”, thuhet në një komunikatë shtypi, të shpërndarë nga Zyra e Informacionit e LDK-së.

“Me këto veprime të kundërligjshme Ministri dhe PDK-ja po forcojnë rendin e rrugës që kanë vendosur në Ministri dhe që po e shtrijnë edhe në institucionet e kulturës”.

Sipas LDK-së, me sjellje të papërgjegjshme dhe të paligjshme, PDK-ja po synon të politizojë gjithçka, po synon të largojë nga institucionet e kulturës njerëzit e kulturës dhe të instalojë aty njerëz të politizuar dhe pa asnjë dije.

Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se politizimi dhe shkelja e ligjeve janë veprime të denja vetëm për “një parti pa program për kulturën dhe pa njerëz të kulturuar siç është PDK-ja”.

Lidhja Demokratike Kosovës kërkon nga Kryeministri që ai, partia dhe njerëzit e tij të heqin dorë nga veprimet e paligjshme, jonormale dhe joetike. Me këto veprime, Kryeministri, nëpërmjet njerëzve të tij, po rrezikon punën e institucioneve dhe të njerëzve të kulturës, thuhet në komunikatën shpërndarë medieve.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›