E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gadafi “është varrosur në shkretëtirë të hapur”

Zyrtari i Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, Guma Al Gamaty, theksoi pak më parë për “BBC”-në se trupat e tyre janë “varrosur në agim në një vendndodhje të pacaktuar”.

Varrimi në fshehtësi i Gadafit në shkretëtirë vjen pas ditësh të tëra paqartësish mes lidershipit të ri të vendit lidhur me atë se çfarë duhet bërë me trupin e tij. Familja e kolonel Gadafit kërkoi që trupat të varrosen jashtë qytetit të Sirtes, qytet në të cilin lindi Gadafi. Por, zyrtarët e KKT-së kanë shprehur preferencën për një varrim në fshehtësi.

“Associated Press” më herët raportoi se ka marrë konfirmim nga një zyrtar i Këshillit Ushtarak në Misrata se varrimi i Gadafit u krye rreth orës 05:00 të mëngjesit (me orën lokale).

Një zyrtar i Këshillit Kombëtar të tranzicionit i tha “Reuters”-it pak orë më parë se kolonel Gadafi do të varrosej në një ceremoni të thjeshtë me pjesëmarrjen e disa sheikëve të martën. “Do të jetë një vendndodhje e pacaktuar në shkretëtirën e hapur”, tha ai për “Reuters” duke shtuar se varrimi duhej të kryhej patjetër pasi dekompozimi i trupit kishte arritur në një pikë të tillë saqë “kufoma nuk mund të mbahet më”.

Dëshmitarët okularë thanë se trupat e tre burrave ishin hequr gjatë natës nga vendi ku mbaheshin për t’iu shfaqur publikut.

Ndërkohë, pyetje të shumta janë ngritur lidhur me vdekjen e Muamar Gadafit. Ndërkombëtarët kanë kërkuar hetim të gjithanshëm. Autopsia e kryer të dielën provoi se 69-vjeçari kishte vdekur si pasojë e një plumbi të marrë në kokë. Lideri aktual i Libisë, Mustafa Abdul Jalil, tha se KKT-ja kishte krijuar një komision për të hetuar rrethanat e vdekjes s ish-liderit./Start/F. Prroni/

                                                                                             2011-10-25 10:37
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›