E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimi po hedh “valle”

Disa vrasje të bujshme janë ende pa autorë, çka do të thotë se forma dhe organizimi i tyre është i parapërgatitur dhe studiuar mirë, ndërsa krimet ordinere janë bërë thuajse të zakonshme.

Më 9 shtator të këtij viti, u vra me eksploziv brenda automjetit të tij gjyqtari i Gjykatës së Vlorës, Skerdilajd Konomi. U tha se krimi kishte lidhje me pronat e tij në Hamallaj të Durrësit, por drejtësia deri më tani ka dështuar në zbardhjen e arsyeve të vërteta të vrasjes mafioze, ndërsa autorët as që duket se do të bien në pranga.

Pak ditë më vonë, një vrasje e bujshme ndodhi në orët e vona të darkës në Tiranë, ku u qëllua për vdekje Arjan Selimi, bashkëshorti i një këngëtareje të njohur.  Ngjarja ndodhi më 26 shtator dhe që prej asaj dite, autorët e vrasjes mbeten mister. U tha se Seli mund të jetë vrarë për shkak të pjesëmarrjes së tij në klanet e drogës, për të cilat kishte bërë edhe disa vite burg.

Po në këtë datë, një vrasje dhe një vetëvrasje u regjistrua në rajonin e Durrësit. Një 27-vjeçar ish-i dënuar për trafik droge qëlloi për vdekje me armë të fejuarën e tij 22-vjeçare. Ngjarja u regjistrua në Rrogozhinë, ku shtetasi Kreshnik Selmani fillimisht vrau të fejuarën e tij Marsida Hoxha dhe më pas qëlloi fatalisht edhe veten. Arsyet e krimit duket se u morën me “vete” nga autori dhe e fejuara e tij.

Po në këtë ditë, një tjetër vrasje u regjistrua në Shkodër, kur babai qëlloi për vdekje me armë të birin. Shtetasi Marash Lula, 55-vjeç vrau të birin 27-vjeçar, Edmondin për arsye banale. Më 6 tetor një tjetër vrasje u shënua kësaj here në Shëngjin të Lezhës ku qëllua me armë anëtari i këshillit komunal, Tonin Gjoni, 40-vjeç. Autorët u arrestuan një ditë më vonë.

Katër ditë më vonë, një adoleshent vetëm 16-vjeç qëlloi me çifte për vdekje babanë e tij, 43-vjeçar. Ngjarja ndodhi në fshatin Shëngjergj të Tiranës, ku humbi jetën shtetasi Kujtim Muça. Adoleshenti u vetëdorëzua në polici. Më datë 8 tetor, një i moshuar në Pogradec qëlloi me sopat të birin 25-vjeçar. Viktima ishte shtetasi Kudret Kromollari, ndërsa i moshuari Njazi Kromollari u arrestua nga policia.

Më 13 tetor, dy vrasje ndodhën në Tiranë dhe Berat. Në kryeqytet, plumbat u drejtuan ndaj dy vëllezërve ku njëri humbi jetën dhe tjetri mbeti i plagosur rëndë për shkak të një borxhi që autori i vrasjes nuk donte ta kthente. Plumbat i morën jetën shtetasit Arjan Salibashës, 39-vjeç, ndërsa i vëllai Edmondi mbeti i plagosur. Autori u arrestua një ditë më vonë. Ndërkohë, në Berat një 33-vjeçar u vra në një qendër interneti pas një grindjeje me dy të rinj. Viktima ishte shtetasi Xhoni Lumani, i cili u qëllua me breshëri plumbash automatiku.

Një ditë më vonë, një sherr me armë u regjistrua në Gjykatën e Lezhës, ku pati një të vdekur dhe katër të tjerë të plagosur, njëri prej tyre kalimtar i rastit. Viktima ishte shtetasi Endri Pepaj, 30-vjeç. Konflikti ndodhi për shkak të një çështje pronash. Një person i armatosur shkoi pranë dyerve të gjykatës duke qëlluar me armë kë gjente përpara. Policia shoqëroi në komisariat pesë persona, si të dyshuar të përfshirë në vrasje.

Një gërvishtje makine i mori jetën një 30-vjeçari në Tiranë. Ngjarja u regjistrua mbrëmjen e 18 tetorit në Sauk të Tiranës ku humbi jetën shtetasi Vilson Përleka. Por krimet e rënda kanë vijuar, ku një rast i rëndë u shënua sërish në kryeqytet.

Një argjendar u qëllua për vdekje me pistoletë nga një shtetas që kishte hyrë për të vjedhur. Por teksa shitësi i floririt ka rezistuar, plumbat i kanë marrë jetën. Viktima ishte shtetasi Rrapo Sinanaj, 62-vjeç. Autori u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe ende nuk është arrestuar. Ndërsa këtë të martë, një shtetas u gjet i vdekur në Durrës, ku punonte si oficer i Shërbimit Informativ Shtetëror. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-10-25 11:04
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›