E Shtunë, 31 Tetor 2026

Referendum kombëtar kundër plehrave

Në mbledhjen e grupit, Rama tha se beteja e opozitës në këtë drejtim nuk duhet të zhvillohet vetëm në Parlament.

“Shqipëria është përpara një rreziku. Edhe sikur të mos ekzistonte asnjë mundësi që plehrat radioaktive të hynin në Shqipëri, mjafton që sot ne nuk mund të përpunojmë plehrat tona. Ne gjendemi përballë një alarmi të pashembullt kombëtar. Për këtë, të mos mjaftohemi me debatin në Parlament. Ne jemi kundër importit të plehrave. Le ta eksplorojmë pa humbur kohë mundësinë e një referendumi popullor”, theksoi Rama para deputetëve të tij. Për këtë çështje, ai ngarkoi deputetin Blendi Klosi për t’u marrë dhe shqyrtuar alternativat.

Gjithashtu, tha se duhet të vazhdojë kërkesa për heqjen e TVSH-së për bukën, ilaçet dhe vezët. “Nga ana tjetër, duhet të vazhdojmë kërkesën për heqjen e TVSH-së për bukën, ilaçet dhe vezët. Ky 20% nuk shkon për dyqanin por për Saliun. Ne kërkojmë që ky 20% të hiqet. Ta ngremë zërin fort për heqjen e TVSH-së për këto produkte,dhe po ashtu reduktimin e TVSH-së për energjinë. Saliu ka premtuar 6% për energjinë dhe e ka bërë 20%. Ne mendojmë se 6 % është tërësisht e mundur”, shtoi kreu socialist.

Ndërkohë, ai foli edhe për përgatitjet për Kongresin e Nëntorit. “Jemi në përfundim të projektit që përcakton qartë, qoftë rrugëtimin tonë në drejtim të zgjedhjeve. Kemi një alternativë të re për ndryshim radikal të sistemit të taksave dhe që vendos në sistemin kush fiton më shumë paguan më shumë, kush fiton më pak paguan më pak. Kemi një alternativë të re të qeverisjes së territorit dhe ambientit”, shtoi ai. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-10-25 12:22
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›