Gadafi, i dërguari i Algjerisë në OKB: Ne jemi vend mikpritës

I dërguari i Algjerisë në OKB ka mbrojtur vendimin e vendit të tij për t`i siguruar strehim bashkëshortes dhe tre fëmijëve të liderit libian Muammar Gaddafi.
Mourad Benmehidi ka deklaruar për BBC se në rajonin e shkretëtirës ka ekzistuar gjithmonë “rregulla e shenjtë e mikpritjes”.
Ndërkohë, një zëdhënës i rebelëve e ka kritikuar këtë veprim, duke e cilësuar si një akt agresioni ndaj popullit të Libisë.
Ai ka nënvizuar se Këshilli Kombëtar i Tranzicionit do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të detyruar familjen e kolonelit të kthehet.
Ndërkohë, detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjet në masë të kryera në Libi. Sipas ministrit të Drejtësisë të KKT-së, Mohammed al Alagi, katër varre masive janë zbuluar në Libi.
Mes tyre është edhe një në Ain Zara, në jug-lindje të Tripolit, i vendosur prapa barrakave të së ashtuquajturës Brigada Khamis, komandant i të cilës ishte i biri i Gaddafi-t, Khamis.
Rebelët libianë kanë marrë nën kontroll pjesën më të madhe të Tripolit më 21 gusht, por luftimet po vazhdojnë në disa zona të vendit, në vecanti përreth vendlindjes së kolonelit, në Sirte.