E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gadafi pro zgjedhjeve Te vendose populli per largimin

Libia ka nevojë për Gadafin si lider për të mos u kthyer në një tjetër Irak apo Somali. Është ky qëndrimi më i fundit i qeverisë në Tripoli sipas së cilës Gadafi është i hapur ndaj idesë së mbajtjes së zgjedhjeve dhe reformimit të sistemit politik në Libi, por vetëm populli libian mund të vendosë nëse Gadafi duhet të qëndrojë apo të largohet. Deklarata është bërë nga Musa Ibrahim, zëdhënës i sundimtarit libian.

Ibrahim theksoi se Gadafi nuk do të pranojë kushte nga jashtë. I përballur me një rebelim të armatosur, në veçanti në lindje të vendit, si dhe me sulmet ajrore ndërkombëtare, regjimi i Gadafit është i gatshëm për të diskutuar propozimet që synojnë vendosjen e demokracisë, transparencës, lirisë së shtypit dhe ligjeve anti-korrupsion. Ibrahim e përshkroi Gadafin si "valvolën e sigurisë" dhe figurën që i bashkon libianët.

"Gadafi ka një domethënie simbolike për popullin libian. Mënyra se si qeveriset Libia është çështje tjetër ashtu siç është çështje e ndarë dhe sistemi politik në vend. Këto janë të negociueshme. Ne mund të bisedojmë e të organizojmë gjithçka, zgjedhje, referendum, çdo gjë" tha Ibrahim.

Qëndrimi i ri vjen një ditë pasi dhe Italia ka njohur këshillin e opozitës si të vetmen strukturë legjitime përfaqësuese të Libisë e ndërkohë që luftimet janë përqendruar në Brega. Qyteti i vogel port mbetet ende në qendër të luftimeve ndërsa sipas Al Xhazirës rebelët aty kanë në kontroll pjesën industriale. Shpërthime të forta janë dëgjuar dhe në Tripoli ku besnikët e Gedafit kanë qëlluar me artileri të rëndë kundër bastioneve të kryengritësve.

Ndërkohë vazhdojnë dhe sulmet e NATO-s. 58 sulme ajrore janë ndërmarrë gjatë 24 oreve të fundit. Që kur NATO ka marrë guidën e  operacioneve janë ndërmarrë 701sulme në 276 raste kanë qenë në shënjestër objektiva specifik.

Delina Bitraku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›