E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gaddafi armepushim me kushte NATO tu jape fund sulmeve

Muamar Gaddafi është i hapur për të negociuar armëpushimin  me vendet e NATO-s në mënyrë që t'i jepet fund sulmeve ajrore kundër forcave të tij. Gjatë një fjalimi në televizionin shtetëror, Gaddafi tha se forcat e tij janë të gatshme për armëpushim, por shtoi se të gjitha palët e përfshira në konflikt duhet t'i binden armëpushimit.

Sipas tij një pushim zjarri nuk mund të jetë i njëanshëm kështu që edhe NATO duhet të ndërpresë sulmet e saj ajrore. Megjithatë, Gaddafi kundërshton pikën kyçe të një negociate të sukseshme largimin e tij nga pushteti. Sundimtari libian theksoi se nuk planifikon të lerë postin e tij e as Libinë, ndërsa theksoi se populli libian është në gjendje t'i zgjidhë vetë problemet nëse sulmet e NATO-s përfundojnë.

Ndërkohë edhe gjatë kohës së fjalimit të tij në Tripoli nuk kanë munguar shpërthimet ndërsa trupat qeveritare dhe ato kryengritëse kanë zhvilluar luftime të ashpra përreth aeroportit të qendrës së kryengritësve libianë, Misrata. Luftime janë zhvilluar edhe në një kalim kufitar me Tunizinë.

Tunizia ka protestuar zyrtarisht kundër luftimeve në kufi për shkak të shkeljes së integritetit territorial të saj, ku si pasojë e luftimeve kanë humbur jetën 20 vetë. Forcat anti-qeveritare, që mbështeten nga NATO-ja, luftojnë kundër regjimit të Gaddafit që nga mesi i muajit shkurt, ndërsa Gaddafi sundon në Libi prej 41 vjetësh.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›