E Diel, 1 Nëntor 2026

PD, Hoxha: Bahri Shaqiri, djalë i sjellshëm, po nuk ka kryer punën. PS kërkon të frenojë Nishanin për të goditur korrupsionin

Deputetit demokrat, Fatos Hoxha, u ka qëndruar akuzave të deputetëve të tjerë demokratë, në lidhje me ish-kreun e SHISH, Bahri Shaqiri. Sipas tij, ky i fundit nuk e ka kryer detyrën e vet siç duhet, sidomos në rastin e 21 janarit. Prandaj, sipas Hoxhës, pavarësisht se ai është një djalë i sjellshëm, është shkarkuar.

Mazhoranca ka bashkëpunuar për 7 vjet me kreun e SHISH që vinte nga radhët e opozitës, Kryeministri ka bashkëpunuar me të gjatë gjithë periudhës pavarësisht kësaj. Shaqiri nuk ka kryer detyrat ligjore të tij, nuk ka bërë informimin në kohë të Kryeministrit për ngjarjet e 21 janarit. Ai nuk ka asnjë lloj informacioni për 21 janarin, dhe ai ka qenë shumë aktiv për periudhën zgjedhjes së Presidentit. Cdo institucion duhet të ketë mandat. Ai është një djalë i sjellshëm, por nuk ka kryer mirë detyrën, ka thënë Hoxha për Ora Neës.

Duke vijuar më tej, ai ka akuzuar opozitën se po përpiqet që të frenojë dhe godasë presidentin Nishani, në mënyrë që ky i fundit të mos luftojë korrupsionin në gjyqësor dhe politikë.

Është ky President që është marrë si shembull nga Edi Rama për përmbushje të detyrës si Ministër, ndërsa sot është vënë në shënjestër pse emëroi në krye të SHISH një emër të propozuar nga Kryeministri. Duan ta frenojnë në detyrën e tij, kërkojnë ta godasin pa filluar punë akoma. Presidenti është zotuar për reforma në drejtësi, do të godasë fort këto fenomene, duke mos lënë jashtë vëmendjes pasurimin e pafund jo vetëm të gjyqtarëve, por edhe të politikanëve, tha Hoxha.

Në fund, ai u shpreh se opozita pengoi kushtin kryesor për marrjen e statusit, heqjen e imunitetit dhe këtë, sipas tij, ajo do ta paguajë shtrenjtë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Heqja e imunitetit është një nga kushtet kryesore që i`u kërkua mazhorancës nga BE për marrjen e statusit dhe mazhoranca iu përgjigj në unitet me 6 gusht, pranoi cdo variant. Nuk ka cështje më të rëndësishme për Shqipërinë se integrimi europian. Në seancën e 6 gushtit opozita përvecse kundërshtoi variantin e ndërkombëtarëve, nuk votoi as variantin e propozuar nga vetë ajo. Imuniteti është gangrenë e korrupsionit.

 PS kërkon të bllokojë me cdo kusht marrjen e statusit, e cila do të ndëshkohet në zgjedhjet elektorale të 2013, të njëjtën lojë ka ndjekur edhe për heqjen e vizave. Sot ata kanë në dorë të bllokojnë këtë gjë. Marrja e statusit do jetë shumë e vështirë nëse nuk hiqet imuniteti, raporti fillon të bëhet në shtator, dhe jo pa arsye opozita është shprehur që kemi kohë në shtator që të kalohen bashkë me ndryshimet në gjyqësor. 

Pra, po synon vetëm të bllokojë, njësoj sic mbajti peng për 2 vjet institucionin e Avokatit të Popullit. Pavarëssiht deklaratave të tyre, politika e vetme është ajo e bllokimit. Kuvendi e ka në cdo kohë mundësinë. Edhe sikur këtë ta realizojmë në seancën e 3 shtatorit është e pamundur pasi opozita ka paralajmëruar që nuk e voton të vetme, kërkon qiqra në hell. Kryeministri ka shprehur se do i drejtohemi popullit për imunitetin, nuk kemi rrugë tjetër, asgjë nuk e ndalon këtë mazhorancë për imunitetin. Ne u tërhoqëm dhe shkuam në variantin e PS vetëm për hir të integrimit tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›