E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gafa e Kuzhe, publikon një listë me vetëm 10 emra

TIRANE-Trajneri i kombëtares shqiptare Josip Kuzhe ka publikuar sot 10 emra për ndeshjen e 7 qershorit kundër Bosnje-Hercegovinës. Në mënyrë të habitshme, kroati nuk e ka bërë të ditur listën e plotë edhe pse futbollistët tashmë nuk kanë më ndonjë rrezik dëmtimi.

Nëse në të gjitha kombëtaret e Evropës, trajnerët i kanë bërë të ditura listat me lojtarët që do të thirren për takimet e qershorit, në Shqipëri duket se nuk funksionon një procedurë e tillë. Por, ajo çfarë ka qenë më e habitshme, ka qenë fakti se janë bërë të ditur vetëm 10 emra, gjë që nuk ishte parë ndonjëherë.

Me ta, do të nisë ditën e mërkurë grumbullimi në Durrës, ndërkohë që pjesa tjetër e skuadrës do të zbulohet pak ditë më pas. Kuzhe do të ketë në dispozicion Arjan Beqajn, Isli Hidin, Andi Lilën, Gilman Likën, Jahmir Hykën, Ervin Bulkun, Altin Lalën, Kristi Vangjelin, Endri Vrapin dhe Gjergji Muzakën. Ajo që bie në sy është edhe fakti se në dispozicion të Kuzhe ndodhen dy portierët e dytë, Beqaj e Hidi, ndërsa Ujkani ende nuk është konfirmuar.

Me shumë mundësi, portieri i Novarës do të jetë i ftuar, duke qenë se ai është titullari, ndërkohë që mbetet tepër e çuditshme se për çfarë duhen tre portierë në një ndeshje teke, në kohën që janë lënë jashtë futbollistë si Edmond Kapllani. Shqipëria do të luajë më 7 qershor me Bosnjen, në Zenica, në një ndeshje kyçe për fatet e saj në eliminatoret e Europianit 2012.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›