E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gafa me Benzema Valdano dhe shtypi kundër Murinjos

TIRANE-Një tjetër "Muriniada" në Spanjë. Vetëm një ditë pas barazimit 1-1 me Almerian, mediat iberike kanë vënë në shënjestër trajnerin Zhoze Murinjo, ashtu siç bënë pas shpikjes së kartonave të kuq në ndeshjen me Ajaksin në Champions League. Veçse, këtë herë, "gjetja" e Murinjos nuk ka asgjë speciale. "Muriniada dhe Villarata", është titulli i të përditshmes sportive madrilene "AS", e cila akuzon teknikun portugez dhe presidentin e Federatës Angel Maria Vilar për ndalesën e pësuar nga Reali. Gjithë kritikat e shtypit spanjoll lidhen me faktin se Murinjo la në stol Karim Benzema përgjatë gjithë pjesës së parë, duke hedhur në sulm Ozil e Kaka. Dje, Reali e ka patur pushim dhe nëse "Special One" u ka hedhur një sy gazetave, duhet të ketë lexuar gjëra aspak të këndshme. "Eksperiment fatal", është titulli i të përditshmes politike "Publico". "Eksperiment i dështuar", titullon "El Pais", që në koment përmend konceptin "fatal" për ndryshimet e bëra në formacion nga Murinjo. Po pse kaq kritika? Mediat e kanë komentuar vendimin e trajnerit si një sinjal që ai donte t'u jepte drejtuesve, për të blerë një sulmues të ri. "Vendimi i Murinjos duhet interpretuar si një sinjal për drejtuesit, që duhet të blejnë një qendërsulmues. Eksperimenti gjithsesi rezultoi i dështuar", shkruan më tej "El Pais".
Benzema
Por, njeriu nga i cili kanë ardhur një pjesë e mirë e këtyre akuzave, quhet Karim Benzema. I blerë për 35 milionë euro në vitin 2009, francezi është tepër i talentuar, por në fushë shënon shumë rrallë. "Atij i mungon totalisht dëshira për të bërë gol", tha Murinjo para ndeshjes me Almerian. Menjëherë pas kësaj, portugezi e la në stol sulmuesin 23 vjeçar në sfidën e së dielës. Por, për mediat, e hëna ka qenë dita e hakmarrjes së francezit, që vërtetoi se Reali nuk mund të luajë pa të. "Benzema është më i keq se gjithkushi, por më i mirë se askushi", shkruan me ironi drejtori i gazetës "AS". "I vetmi që të dielën fitoi diçka", ishte titulli i "El Mundo" referuar francezit. Por, kundër Murinjos ka dalë edhe drejtori Horge Valdano. "Jemi duke kërkuar një "9", por sonte e kishim në pankinë", tha pas ndeshjes argjentinasi për "Canal Plus". Një batutë që u interpretua si një shigjetim direkt ndaj trajnerit Zhoze Murinjo.
Arbitrimi
Kritikat e bëra nga Zhoze Murinjo në adresë të arbitrit Perez Lasa, pas barazimit 1-1 me Almerian, kanë gjetur deri diku, mbështetje në shtyp. "AS" e sidomos "Marca", kanë akuzuar pikërisht gjyqtarin Perez Lasa për mungesën e fitores, madje nuk kanë munguar as kritika në adresë të presidentit të Federatës Vilar, se ka një komplot të tij që arbitrat të favorizojnë Barcelonën. "E njoh që prej vitit 1996, kur erdha këtu. Zakonisht njerëzit ndryshojnë, rriten, por ai jo. Jemi në vitin 2011 dhe Perez Lasa është i njëjti. Shpresoj të mos na arbitrojë më as ne, as Barcelonën", tha Murinjo. Përpos barazimit me Almerian, Reali ka marrë një rekord pikësh, 48 në fazën e parë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›