E Diel, 1 Nëntor 2026

Gafat, Sep Blater i kërkon falje Anglisë dhe Meksikës

Presidenti i FIFA-s hap rrugën për teknologjinë në vijën e portës

Polemikat e shumta rreth gabimeve të gjyqtarëve në Kupën e Botës 2010 kanë sjellë reagimin e Sep Blater. Nga Johanesburgu, presidenti i FIFA-s i kërkoi falje Anglisë dhe Meksikës për episodet e ndeshjeve të vlefshme për 1/8-at (përkatësisht kundër Gjermanisë dhe Argjentinës), të cilat i cilësoi “gabime të dukshme” të gjyqtarëve, që ndikuan në rezultatin e ndeshjeve. Kreu i federatës botërore nënvijëzoi se “do të ketë një qëndrim ndryshe” për përdorimin e teknologjisë, e cila do t’u vijë në ndihmë “xhaketave të zeza”, kryesisht në “vijën e portës”. Një çështje e tillë do të jetë në qendër të vëmendjes së FIFA-s në mbledhjen e korrikut në Kardif. “është e qartë se, pas eksperiencës së deritanishme në këtë botëror, nuk do të kishte kuptim që të mos e prezantonim sërish për diskutim dosjen rreth përdorimit të teknologjisë në vijën e portës”, tha Blater, duke iu referuar golit të Frenk Lampard, të cilin asistenti Maurizio Espinoza nuk ia sinjalizoi gjyqtarit Larrionda. Topi e kaloi me afro gjysmë metri vijën fatale, në momentin kur Gjermania kryesonte 2-1, por goli nuk u akordua. Në të njëjtën ditë u regjistrua edhe një tjetër episod: në ndeshjen ndërmjet Meksikës dhe Argjentinës, të besuarit e Maradonës zhbllokuan rezultatin falë një goli në pozicion të dukshëm jashtë loje të Karlos Tevez. Të hënën, një zëdhënës i FIFA-s deklaroi se deri më tani nuk ishin parashikuar ndryshime dhe se gabimi i vetëm ishte transmetimi i pamjeve që konfirmonin pretendimet e meksikanëve në ekranin e madh të stadiumit. Por Blater shtoi: “Futbolli është një lojë dinamike dhe në momentet e diskutueshme, siç është për shembull fakti nëse topi e kaloi vijën e portës apo jo, dy skuadrave mund t’u jepet mundësia që të shohin pamjet filmike, përsëritjen e aksioneve një ose dy herë, ashtu si ndodh në tenis”. Kjo ngjason më tepër me përdorimin e kufizuar të moviolës në fushë, një praktikë që funksionon në sportin e regbisë: aty gjyqtarët e ndeshjes kërkojnë ndihmën e “Television Match Officer”, një lloj arbitri i katërt, i cili kontrollon monitorët në momentet e diskutueshme. “Nuk mund të ndryshojmë rregullat tashmë që Kupa e Botës po luhet dhe kur kanë mbetur tetë ndeshje për t’u luajtur. Megjithatë, do të ishte absurde që çështja e përdorimit të teknologjisë të mos diskutohej. Më vjen keq për gabimet e rënda. Gjëra të tilla mund të ndodhin, por futbolli vazhdon. E kuptoj që shumëkush është i zemëruar dhe po na kritikon dhe për këtë arsye i kërkova falje Anglisë dhe Meksikës. Anglezët pranuan ndjesën time dhe më thanë faleminderit, duke qenë të vetëdijshëm se në këtë sport humbet ose fiton. Ndërsa meksikanët thjesht sa tundën kokën, pa më thënë asnjë fjalë”, theksoi Blater.

Presidenti i FIFA-s ka folur edhe për Francën. Dështimi i përfaqësueses së “gjelave” është shndërruar në një çështje shtetërore, por Blater bëri të ditur se nuk do të tolerohen ndërhyrjet politike. Disa ditë më parë, Presidenti i Francës, Sarkozi, kishte bërë kritika të ashpra për mënyrën sesi u menaxhua situata brenda skuadrës, ndërsa të hënën kreu i federatës, Zhan-Pier Eskalet, dha dorëheqjen. “Francezët e shndërruan futbollin në një çështje shtetërore, por ky sport mbetet në duart e federatës. Në rast se do të ketë ndërhyrje politike, qoftë edhe në zgjedhjet e presidentit të ri, futbolli francez mund të mbështetet gjithmonë te FIFA. Ne do ta mbështesim FFF-në, e nëse zgjidhja nuk do të vijë nëpërmjet dialogut, nuk do të na mbetet veçse ta pezullojmë këtë federatë”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›