Meravija spanjolle
“Vija Maravija”. Kjo është kënga e spanjollëve. Dhe kanë plotësisht të drejtë. David Vija është i mrekullueshëm. Sulmuesi i Barcelonës shënon golin e katërt në Afrikën e Jugut 2010 (të 42-in me fanellën e përfaqësueses) dhe kualifikon kampionët e Europës mes tetë skuadrave më të mira në botë. “Furia e Kuqe” shkon në çerekfinale, pasi ka kaluar pengesën me emrin Portugali, një skuadër së cilës në Spanjë ndoshta i trembeshin më shumë nga sa ishte e nevojshme. Kristiano Ronaldo përshëndet aktivitetin më të rëndësishëm: galaktiku CR9 e nisi botërorin larg formës së tij të zakonshme dhe e mbylli në të njëjtën mënyrë, në një ndeshje ku ai duhej të ishte tërheqësi i luzitanëve. Mesfushori i Realit tenton disa goditje nga distanca, bën ndonjë dribling karakteristik, por nuk arrin të shkojë larg. Kjo edhe për faktin se te Portugalia nuk ka asnjë shok skuadre që mund ta mbështesë dhe ta nxjerrë të vetëm me Kasiljas. Në të vërtetë, në derbin e djeshëm iberik ka zhgënjyer edhe ylli i Spanjës, Fernando Torres. “El Ninjo” nuk është në nivelet e zakonshme dhe Kombëtarja nuk varet më prej tij: Spanja e drejtuar nga Del Boske i përket e gjitha David Vijës, sulmuesit perfekt.
Te Barcelona, Vija duhet të përshtatet për mrekulli. Nuk është rastësi që goli, i cili dërgoi portugezët në shtëpi, lindi nëpërmjet një aksioni të gjithi katalan. Në minutën e 63-të, “Furia e Kuqe” gjen aksionin që çan mbrojtjen e përforcuar të kundërshtarëve: Iniesta ka hapësirë për të pasuar, Ksavi e devijon topin me thembër më majtas, aty ku Vija nuk gabon. Tentativa e parë e sulmuesit me të majtën është pritur nga Eduardo, por me topin që kthehet në këmbët e tij, “El Guaje” nuk fal.
Gjithsesi, mbetet një dyshim i vogël për pozicionin e lojtarit që kushtoi 40 milionë euro, që ndoshta ndodhej pak centimetra më para se mbrojtësit portugezë. Ky ishte goli i parë i skuadrës së drejtuar nga Kueiroz në këtë aktivitet, një rrjetë që rezultoi fatale. Portieri Eduardo u dorëzua përballë “bomberit” Vija, ndërsa në minutat e mëparshme kishte bërë mrekulli për të neutralizuar tentativat e shumta të spanjollëve. Me pritjet e shumta, disa prej të cilave vendimtare, “gardiani” ishte padyshim lojtari më i mirë në fushë për luzitanët. Në minutat e fundit të ndeshjes, kur të besuarit e trajnerit Del Boskes kontrollonin plotësisht ndeshjen, me qarkullim të dendur të topit në zona të ngushta, rezultati final mund të kishte qenë edhe më i thellë. Kjo edhe se Portugalia nuk arriti të reagonte pas disavantazhit: ata e nisën ndeshjen në mënyrë difensive, duke menduar më shumë që të mos pësonin.
Zhgënjimi i vetëm i Spanjës ishte Fernando Torres. Lojtari i Liverpulit ishte sulmuesi kryesor, ndërsa pas tij punonin Iniesta, Ksavi e Vija. Torres e nis ndeshjen në mënyrë të jashtëzakonshme, kur vetëm pas 2 minutave lëshon një gjuajtje që largohet nga Eduardo. Më pas, paraqitja e tij vjen në rënie dhe Del Boske bindet ta largojë nga fusha ende pa u luajtur 60 minuta lojë, duke aktivizuar Lorenten. Talenti bask është shfaqur më efikas se “El Ninjo” dhe vetëm 60 sekonda pas futjes në fushë kishte shansin të zhbllokonte rezultatin, ndërsa më pas mund të realizonte rrjetën e dytë të spanjollëve. Merita në kualifikimin e Spanjës ka edhe Kasiljas, me disa pritje vendimtare.
#