ISKSH, metodologji për llogaritjen e kostos së disa shërbimeve mjekësore
Emanuela Sako
ISKSH-ja do të promovojë një metodë të re për llogaritjen e kostos së shërbimeve mjekësore në poliklinika. Sipas këtij koncepti të ri, ISKSH-ja do të fusë një frymë të re në mënyrën e menaxhimit të punës në një qendër spitalore dhe rritjen e cilësisë së shërbimit. Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor do të përllogarisë brenda 6 muajve, kostot e shtatë shërbimeve bazë që ofrohen në poliklinika. Sipas drejtoreshës së këtij dikasteri Elvana Hana, nxjerrja e kostove për çdo shërbim do realizohet në bashkëpunim me USAID dhe ka për qëllim dhënien e përparësisë së parandalimit të sëmundjeve. Nxjerrja e kostove për 7 shërbimet bazë në poliklinika do të ndihmojë ISKSH për shpërndarjen sa më të mirë të financimeve, për të pasur një shërbim cilësor për pacientin. Në bazë të reformës, mjekët do të vlerësohen me pagesë për punën e kryer dhe kohën shtesë që do të harxhojë me çdo pacient. Njëkohësisht, për çdo sëmundje do të llogaritet kostoja e shërbimit për çdo medikament apo aparaturë, duke përfshirë dhe kohën që i duhet mjekëve të shpenzojnë me pacientët. Në fund të këtij viti, nëpërmjet një strategjie të posaçme do të përllogaritet kostoja reale e tre shërbimeve mjekësore që ofrohet nga parësori në kryeqytet. Kjo do të sjellë për qytetarët një shërbim më cilësor nga bluzat e bardha, pasi do të financohet aty ku është e nevojshme në bazë të kërkesave të pacientëve. Kjo metodologji e re është duke u përgatitur nga ISKSH-ja dhe USAID.
Shërbimet
Në bazë të reformës, 3 grup-sëmundjet e para që u përcaktuan për matjen e kostove janë astma, diabeti dhe hipertensioni, të cilat janë më të përhapura në popullatë, si dhe janë sëmundje ku parandalimi është më i mundshëm për shëndetin e pacientëve. Specialistët theksuan se vëmendja duhet të përqendrohet tek parandalimi i sëmundjeve, duke studiuar metoda të reja të trajtimit. Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana u shpreh se kjo mënyrë është më pak e kushtueshme, por edhe më efikase pasi sëmundja kapet që në fillesë. Tre diagnozat e para pritet të kostohen brenda vitit, më pas do vijohet nga ekspertë të ISKSH-së me matjen e kostove dhe për diagnozat e tjera. “Deri në fund të vitit, të paktën 3 nga 7 shërbimet bazë të ofruara në parësor do të jenë të matshme dhe të kostueshme. Këto shërbime janë astma, diabeti dhe hipertensioni që kanë dhe numrin më të madh të të sëmurëve kronikë dhe të të trajtuarve. Por që kanë mundësinë e parandalimit të qëndrueshmërisë në stade të hershme të saj duke mos lejuar që pacientët të shkojnë drejt një qëndrueshmërie kronike shumë të rënduar, që natyrisht do t’i kushtonte shumë personit, por dhe gjithë shoqërisë”,- shprehet Elvana Hana.
Skema
Sipas Hanës, pas zbatimit të kësaj strategjie në 3 shërbime në poliklinikat e Tiranës, ajo mendohet të shtrihet dhe në 4 të tjerat. Në këtë mënyrë do të plotësohet e gjithë paketa e shërbimeve shëndetësore që ofrohen nga parësori. ISKSH do të bëjë të mundur matjen e kostove, e cila tashmë po aplikohet në çdo qendër shëndetësore dhe përbëhet nga 7 shërbime bazë. “Ideja jonë është që financimi të ndjekë pacientin, pra të bëhet e mundur matja e punës së mjekut e cila ka nisur me ndarjen e zërave (buxhet për aktivitet, performancë dhe bonus), por që do të thellohet më tej me përcaktimin e kostove reale të shërbimeve fillimisht në qendrat shëndetësore e më pas në spitale”,- tha drejtoresha e ISKSH-së.
Adoleshentët, 5 për qind e nxënësve në shkolla kanë provuar drogë
Adoleshentët janë kategoritë më të prirura për konsumimin e drogave. Sipas një studimi të Institutit të Shëndetit publik rreth 5 për qind e të rinjve në shkollat e mesme (publike dhe private) kanë përdorur të paktën një herë drogën të llojit marihuana. Ky fenomen është i përhapur kryesisht në gjimnazet e kryeqytetit, por pa përjashtuar dhe ato në rrethe. Përdorimi i hashashit dhe drogave në Shqipëri përbën problem shqetësues të shëndetit publik, për arsye të varësisë që krijohet dhe ndërlikimeve që mund të vijnë prej saj. Nisur nga kjo, specialistët e shëndetit publik pohojnë se duhet punuar më shumë në shkolla me grupet rinore për të rritur shkallën e njohjes dhe për të promovuar sjelljet e shëndetshme. Sipas specialistëve është i nevojshëm vlerësimi aktual i situatës, i cili lidhet jo vetëm me përcaktimin e atyre që përdorin droga, por dhe me nivelin e njohurive, qëndrimeve apo sjelljeve të popullatës ndaj tyre, sidomos të rinisë shkollore. Në studimin e ISHP-së u përfshinë 671 nxënës të moshës rreth 17-18 vjeç, nga të cilët 44.6 % femra dhe 55.4 % meshkuj. Lidhur me përdorimin e marihuanës në ambientet e shkollës u raportuan shifra të përafërta, 16.5% sektori publik dhe 17.9 % sektori privat.
1 Gusht 2009