E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit, konfirmohen katër raste te reja në vendin tonë



Konfirmohen katër raste të tjera me virusin e gripit të derrit në vendin tonë. Specialistët e Rumanisë, ku u kryen ekzaminimet kanë saktësuar se nga mostrat e dërguara u konfirmuan 4 raste me virus. Aktualisht numri i të prekurve në vendin tonë shkon në 8 persona. Pak ditë më parë, specialistët e ISHP-së dhe konfirmimi që erdhi nga Rumania, bënë të ditur dhe 4 rastet e para në Shqipëri me AH1N1. Mbartësit e parë të virusit janë studenti 20-vjeçar nga Gjirokastra, tre marinarët, 2 Filipinas dhe një Rumun. Specialistët mendojnë se numri i të dyshuarve mund të jetë edhe më i lartë, por qytetarët duhet të tregohen më të vëmendshëm dhe të drejtohen në spital, për kryerjen e ekzaminimeve. Megjithëse, mjekët shprehen se virusi nuk është shfaqur në formën e tij agresive, qytetarët janë të frikësuar dhe për më tepër prindërit. Pjesa më e madhe e fëmijëve preken nga virozat e stinës së verës, për këtë arsye prindërit drejtohen menjëherë në pediatri për shkak të rrezikut nga virusi i gripit. Mjekët bëjnë të ditur se është shtuar numri i fëmijëve që vijnë në Pediatri, por bashkë me ta dhe frika e prindërve, pasi dyshimi i parë që u shkon në mendje është virusi AH1N1. Kështu, një nga arsyet është se tashmë virozat e stinës tek fëmijët sjellin të njëjtat shenja me atë të gripit, temperaturë, të vjella, diarre, rrufë etj. Departamenti i Epidemiologjisë pranë Drejtorisë së Higjienës është një nga institucionet që merret me izolimin e vatrave të dyshuara me virusin A/H1N1. Shefja e këtij departamenti, Luiza Kolasi, tregon se sa mostra janë marrë deri tani, nga poliklinikat në Tiranë dhe në Spitalin e Pediatrisë. “Nga shërbimi mjekësor parësor ne kemi dërguar në Institutin e Shëndetin Publik 15 kampione serumesh. Ndërkohë nga Spitali i Pediatrisë janë dërguar rreth 50-60 kampione. Për fat të mirë asnjë kampion nuk ka rezultuar pozitiv të paktën për virusin A. Kur ne quajmë vatër, atëherë ne kemi një person të mundshëm. Prioriteti jonë është ta izolojmë në kushtet e shtëpisë ose në kushtet e një institucioni. Nëse mjeku e sheh se në kushtet e shtëpisë ky person nuk merr gjithë mjekimin e nevojshëm atëherë këtë person e çojmë në spitalin infektiv”,- shprehet Kolasi. Specialistët e epidemiologjisë u bëjnë thirrje prindërve që në këto ditë të nxehta në rast se fëmijët e tyre shfaqin shenja të gripit dhe nuk i kalojnë për rreth katër ditë, ata duhet të drejtohen tek mjeku. Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me ISHP-në kanë publikuar buletinin të dytë javor me të dhënat për përhapjen e virusit të gripit. Sipas ISHP-së, deri tani nuk ka asnjë rast të prekur të fëmijëve të vegjël. Ndërsa çdo ditë në Urgjencën e Tiranës drejtohen çdo ditë rreth 250 fëmijë me virozat e stinës.

1 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›