Gafat e spikatura të shqiptarëve në fletët e votimit
Gjatë këtij procesi zgjedhor janë vënë re një numër i madh fletësh votimi që kanë dalë të pavlefshme. Kjo për faktin se janë vënë re shenja të ndryshme që e bëjnë fletën e votimit të pavlefshme. Personat e pranishëm në grupet e numërimit të votave tregojnë se shumë zgjedhës nuk kishin dijeni si të votonin. Shumë fletë votimi janë cilësuar të pavlefshme për shkak se zgjedhësi ka shënuar më shumë se një parti. Në shumë fletë të tjera, zgjedhësi, në vend të shenjës x apo + ka vendosur një shenjë tjetër apo dhe firmën e tij personale. Komisionerët e grupeve të numërimit të votave njoftojnë se në shumë fletë votimi shenja nuk është vendosur në kutinë e votimit karshi subjektit politik në të djathtë, por është vendosur karshi subjektit politik në të majtë duke e lënë bosh kutinë. Madje shumë votues kanë bërë të ditur se për mënyrën e votimit janë konfuzuar edhe nga reklama televizive, e cila në kuti nuk shënon + apo x, por shënon një vizë të lakuar. Pikërisht përdorimi i kësaj shenje e ka bërë votën të pavlefshme. Megjithëse procesi i votimit ishte shumë herë më i thjeshtuar se në zgjedhjet e kaluara, pasi këtë herë zgjedhësit votuan vetëm në një fletë votimi dhe jo në dy, edhe këtë herë u vunë re shkelje të ndryshme.
2 Korrik 2009