E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sistemi dështoi në prodhimin e një shumice të qëndrueshme



Ai që mund të quhet dështimi kryesor i sistemit të ri zgjedhor në Shqipëri pas rezultateve të 28 qershorit është fakti se në Parlamentin e ri nuk do të ketë një shumicë të qëndrueshme. Asnjë prej koalicioneve nuk do të mund të arrijë më shumë se 71 deputetë, duke bërë që qeveria e ardhshme të jetë në pozita të lëkundura dhe aspak komode. Për maxhorancën e ardhshme miratimi i një ligji të vetëm mund të kthehet në “dhimbje koke” në rast se qoftë edhe për arsye që s’kanë të bëjnë aspak me politikën, një deputet i saj do të mungojë në sallën e Kuvendit gjatë momentit të votimit të këtij ligji. Për më tepër që në rast të ndonjë lëvizjeje të brendshme kundërshtuese brenda radhëve të deputetëve të maxhorancës do të bënte që qeveria të rrëzohej në momentin e parë. Një rezultat i ri zgjedhor lë hapësira që në Parlamentin e ri gjithçka të jetë në dorë të pazareve personale të deputetëve. Ky sistem dhe rezultati i prodhuar prej tij jo vetëm që nuk do t’i pengojë shitblerjet e deputetëve, por do t’i nxisë më tepër ato. Për vetë faktin se e majta dhe e djathta kanë një rezultat të përafërt mandatesh, mund të thuhet se për shkak të këtij sistemi është dëmtuar cilësia e demokracisë në Shqipëri.

2 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›