E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gafë e Bolt, rekordmeni skualifikohet në finalen e 100 m

DAEGU- Një gabim në nisje i ka kushtuar xhamajkanit Usain Bolt skualifikimin nga gara finale e 100 metrave në Botërorin e Atletikës që po zhvillohet në Daegu të Koresë së Jugut.

Ka qenë kjo surpriza më e madhe e këtij evenimenti, me rekordmenin botëror që e ka parë veten jashtë garës finale, duke iu dhuruar praktikisht të tjerëve medaljen e artë.

Bolt bëri një start pak më të shpejtë se të tjerët dhe në bazë të rregullave të ndryshuara, tashmë skualifikimi është që në gabimin e parë. Xhamajkani ka mbuluar menjëherë fytyrën me duar dhe ka bërë gjeste të një dëshpërimi absolut, pasi ishte e qartë se askush nuk mund t’ia merrte këtë medalje.

Me largimin e Bolt, fituesi i garës u bë xhamajkani tjetër Johan Blejk, i cili mundi të lërë pas amerikanin Uollter Diks si edhe atletin nga shteti Sent Kits and Nevis, Kim Kollins. Blejhk dha kohën 9.92, që mbetet larg asaj të Bolt.

Ky i fundit mendohej se nuk do të kishte asnjë problem, pas mungesës së amerikanit Tajson Gej dhe xhamajkanit Asafa Pauell, por gabimi çoi në një nga çuditë më të mëdha të Botërorit të Atletikës.
(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›