Tahiri: Ky është modeli i qeverisjes së kësaj maxhorance
Banorët e zonës së unazës së re në Tiranë protestuan pasditen e djeshme, duke bllokuar edhe lëvizjen e mjeteve në këtë segment rrugor për rreth 1 orë. Ata kanë dalë në rrugë së bashku edhe me një grup deputetësh të Partisë Socialiste, duke kërkuar që të merren masa për përmirësimin e infrastrukturës së zonës ku ata banojnë, e cila aktualisht i përket komunës së Kasharit. Deputeti socialist Sajmir Tahiri, e cilësoi fenomenin Kashar si modelin e dështuar të qeverisjes së djathtë. “Banorët e Unazës së re po jetojnë në mëshirë të fatit, si jetim të shtetit e Qeverisë. është modeli i qeverisjes së kësaj maxhorance, si në nivel qendror, ashtu dhe në pushtetin lokal që këta banorë i ka katandisur si mos më keq. Qeveria pasuron pushtetarët, ndërkohë që komuna e Kasharit është kthyer në një makineri të frikshme që pastron para duke ngritur pallate e duke zhytur banorët në skamje. Ky është një motiv më shumë për të protestuar çdo ditë, më 30 prill e në vazhdim për t’i dhënë fund këtij modeli qeverisës, duke hapur rrugën për zgjedhje të lira e të ndershme e bashkë me to edhe mirëqenies së qytetarëve”, është shprehur deputeti socialist. Protestuesit kanë kërkuar që ata të bëhen pjesë e kryeqytetit. Gjatë protestës është ngritur shqetësimi se në këtë zonë janë bërë me dhjetëra ndërtime, së fundmi ka një studim dhe pa urbanizim të zonës dhe ngritjes së infrastrukturës. Deputetët socialistë bënë thirrje që banorët e zonës të marrin pjesë në protestën që do të mbahet në datën 30 prill në Tiranë.