E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gala, Tiranë - Sarajevë dhe kthim

SHKRUAN: Aida Tuci 03-02-2011 11:43

Artistë nga të dy vendet do të festojnë në të dy kryeqytetet respektive, në Sarajevë dhe Tiranë, heqjen e regjimit të vizave për të dy vendet. Një orkestër e madhe simfonike prej mëse 80 muzikantësh dhe mbi 10 solistë nga të dy vendet do të interpretojnë së bashku pjesë ndër më të njohurat e repertorit operistik europian si dhe nga muzika kombëtare e dy vendeve. Emrat më të njohur të skenës operistike shqiptare dhe të Bosnje - Hercegovinës; si Bernarda Fink Inzko, Adema Pljevljak Krehic, Aida Corbadzic, Denis Isakovic, Marjana Leka, Eva Golemi, Vikena Kamenica, Ylber Gjini, Armaldo Kllogjeri, Armando Likaj, do të jenë protagonistë të mbrëmjes Gala që në Sarajeve mbahet sot, ndërsa në Tiranë do të zhvillohet më 6 shkurt. Koret respektive të Operas së Sarajevës dhe Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit do të shoqërojnë disa nga pjesët dhe do të interpretojnë koralet nga opera “Nabuko”, “Oda e gëzimit” dhe opera boshnjake “Hasanaginica”. Programi do të çelet me “Uverturë për një ditë Feste”. Orkestra e madhe me instrumentistë shqiptarë dhe boshnjakë është strukturuar në mënyrë të tillë që artistët e të dy vendeve të kenë role të ekuilibruara sofistike, sipas përvojës më të mirë të tyre. Dy koncertet do të drejtohen nga emrat më përfaqësues të dy institucioneve, mjeshtrit Zhani Ciko, që do të drejtojë orkestrën shqiptaro-boshnjake në mbrëmjen Gala që do të zhvillohet në Tiranë dhe Miroslav Homen, që do të drejtojë orkestrën në mbrëmjen e sotme.

Në të dy vendet do të asistojnë në koncert, përveç elitës së publikut, përfaqësuesit e lartë shtetërorë dhe të trupit diplomatik si dhe delegacione të nivelit të lartë. Për të qenë prezent në mbrëmjen e sotme Gala, ka udhëtuar drejt Sarajevës zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, dhe një delegacion shoqërues. Gjithashtu dhe në Tiranë priten të vijnë drejtuesit më të lartë të shtetit të Bosnje-Hercegovinës, ku në mes të spektatorëve do të jenë edhe ministrat respektivë të dy vendeve, Ferdinand Xhaferraj, dhe z. Ivica Šarić.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›