"Honeymoons” në Parlamentin Europian
Filmi "Honeymoons", bashkëprodhimi i parë shqiptaro-serb me regji të Goran Paskaljevic, shkruar nga Goran Paskaljevic dhe Genc Përmeti, është shfaqur në Parlamentin Europian (PE). Nën kujdesin e eurodeputetes greke znj. Maria Eleni Koppa në shfaqjen e filmit shqiptaro-serb morën pjesë një numër i madh eurodeputetësh, të cilët mbulojnë dhe problematikat e Ballkanit Perëndimor në PE, por dhe ambasadorë të vendeve të ndryshme, anëtare të BE-së si dhe përfaqësues nga Këshilli i BE-së dhe nga Komisioni Europian. Vendi ynë u përfaqësua nga zv. ministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Suzana Turku; drejtori ekzekutiv i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Arben Lami; autori dhe realizatori shqiptar i filmit, Genc Përmeti; si dhe ambasadorja e Shqipërisë pranë BE-së, Mimoza Halimi. Ndërsa nga pala serbe mori pjesë ministri i Kulturës, Nebojsa Bradi, si dhe kryetarja e Parlamentit Serb, Slavica Djukic-Dejanovic, që ndodhej për një vizitë zyrtare në Bruksel. Në fjalën e hapjes eurodeputetja greke Koppa shprehu kënaqësinë e saj për realizimin e këtij projekti, duke shpresuar që mesazhet e këtij filmi për paqe dhe mirëkuptim të jenë motivi i vendeve të rajonit, në mënyrë që rruga e këtyre vendeve drejt Europës mos të jetë më një mit por një realitet, i prekshëm tashmë me liberalizimin e vizave për qytetarët e Ballkanit. Duke falënderuar bashkëproduktorët e filmit, ajo shprehu gatishmërinë e saj për të ndihmuar në promovimin e kulturës dhe vlerave të vendeve të Ballkanit në PE. Ndërsa zv. ministrja e TKRS, SuzanaTurku, pas kthimi nga Brukseli, u shpreh ndër të tjera, se zhvillimet dhe proceset e integrimit në të gjitha fushat në Europë kanë krijuar premisa të reja dhe mundësitë për rajonin tonë për të rritur në një nivel më të lartë bashkëpunimin dhe koordinimin. “Unë besoj fuqimisht se ndërtimi i politikave të përbashkëta kulturore në të ardhmen, duke njohur dhe respektuar dallimet e njëri-tjetrit, do të kontribuojë në proceset integruese në të gjitha nivelet. Duke marrë në konsideratë kohën kur filmi është realizuar, ajo ngjall ëndrrat e shqiptarëve dhe serbëve drejt një bote të civilizuar europiane, të lëvizjeve të lira”, tha ndër të tjera zv. ministrja Turku. Gjatë aktivitetit u shpërndanë materiale të ndryshme promovuese mbi Shqipërinë.