E Diel, 1 Nëntor 2026

Kualifikimet, ndryshimet që propozohen në ligjin e ri

Sistemi i ri i arsimit dhe formimit profesional siguron kualifikime në përputhje me nivelet e Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, si dhe krijon gjithashtu mundësi më të shumta dalje në tregun e punës mbas nivelit të parë, të dytë apo të tretë të tij. Ky sistem lejon gjithashtu edhe vazhdimin e studimeve në nivelin e arsimit pas të mesëm, apo në arsimin e lartë. Në nenin 3 të projektligjit të ri janë pasqyruar ndryshimet e bëra në nenin 6 të ligjit aktual, të cilat kanë të bëjnë me ndryshimet në strukturën e arsimit profesional. Ky nen sqaron hollësisht llojet, nivelet dhe kohëzgjatjet e arsimit dhe formimit profesional. Në të sqarohet se AFP përbëhet nga arsimi profesional publik dhe privat, kur fillon, mbaron dhe strukturën sipas niveleve përkatëse. Për shkak të ndryshimit të sistemit, nga 8-vjeçar në 9-vjeçar, në nenin 2 të projektligjit, janë pasqyruar ndryshimet e nenit 5 të ligjit aktual, të cilat kanë të bëjnë: me ndryshimet moshore, përsa i përket hyrjes në AFP e të gjithë atyre që kanë përfunduar arsimin bazë, me ndryshimet e moshës nga 18 vjeç në 16 vjeç për ata që janë kërkues pune, gjë që nënkupton të mësuarin gjatë gjithë jetës. Në përputhje me ligjin e Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve janë sqaruar edhe mundësitë për hyrjen, vijimin dhe transferimin nga një nivel apo tip i AFP në një tjetër. Nisur nga ligji i Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, e cila është në përputhje të plotë me Kornizën Europiane të Kualifikimeve, janë pasqyruar një sërë ndryshimesh që i referohen emërtimeve, përcaktimeve të tjera të arsyetuara si të nevojshme për t’iu përqasur koncepteve të trajtuara në ligjin për KSHK. Në kuadër të koherencës së disa termave, që kanë të bëjnë me kriteret për pranimin në shkollat apo në qendrat e formimit profesional, ose në institucionet e ndryshme të akredituara, janë propozuar disa ndryshime në nenin 7 të projektligjit. Këto ndryshime kanë të bëjnë me programe të hapura për të gjithë personat që përmbushin kriteret për pranimin dhe regjistrimin, të përcaktuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës apo Ministria e Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Ndryshime janë bërë edhe në lidhje me rritjen e autonomisë së shkollave dhe qendrave të AFP-së. Në kuadër të decentralizimit, shkollave dhe qendrave të formimit u duhet dhënë më shumë autonomi që të mund të përdorin burimet në një mënyrë më fleksibël. Shkollat dhe qendrat duhet të kthehen në agjenci formimi dhe qendra shumëfunksionale, që të jenë të afta të ofrojnë në treg shërbimet e tyre. Në këtë sistem të decentralizuar, shkollave do t’u kërkohet të marrin përgjegjësi të mëdha në planifikimin, menaxhimin dhe përmirësimin cilësor të shërbimeve që ato sigurojnë. Aktualisht, strukturat dhe personeli ekzistues kanë kapacitete të kufizuara për ta kthyer këtë në realitet. Komunitetet lokale të biznesit, të pushteti vendor, të partnerëve socialë dhe prindërit përfshihen shumë pak në planifikimin e veprimtarive shkollore dhe zgjidhjen e problemeve eventuale që shoqërojnë procesin mësimor, prandaj ata nuk e ndjejnë si duhet përgjegjësinë, që kanë për zhvillimin dhe ruajtjen e cilësisë së shërbimeve që ofron shkolla.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›