E Diel, 1 Nëntor 2026

Galak: Nënshkrimi i Protokollit EULEX-Beograd, nuk ka përfunduar



Zëdhënësja e përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikën e jashtme, Havier Solana, Kristina Galak, deklaroi se çështja e nënshkrimit të protokollit mes EULEX-it dhe Beogradit, nuk ka përfunduar ende. Në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), Gallak tha se po punohet për të arritur një marrëveshje me autoritetet e Kosovës. Reagimi nga Brukseli vjen pas qëndrimit të shprehur nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryeministrit Hashim Thaçi, të cilët deklaruan se “çështja e protokollit mes EULEX-it dhe Beogradit është çështje e mbyllur për Kosovën. Me kundërshtimin e protokollit ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë, Prishtina nuk e ka kundërshtuar Bashkimin Europian, por anashkalimin e institucioneve në nënshkrimin e marrëveshjeve me shtetet tjera, thonë zyrtarët qeveritarë në Prishtinë. Ndërkohë, udhëheqësit e opozitës i kërkojnë qeverisë më shumë angazhim në veri të Kosovës, në mënyrë që të mos vijë deri te gjendjet si nënshkrimi i paralajmëruar i protokollit apo situata e krijuar në veriun e Mitrovicës me ndërtimin e disa shtëpive të shqiptarëve dhe serbëve të atjeshëm. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi beson se pozicioni i Kosovës ndaj protokollit të EULEX-it me Serbinë nuk do t’i dëmtojë raportet me Brukselin dhe bashkësinë ndërkombëtare.

31 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›