E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, arrestohen 4 persona, dyshime për terrorizëm



Blerina Olldashi
Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona të dyshuar për lidhje të mundshme me veprimtari terroriste. Arrestimi i tyre është bërë para dy ditësh në rajonin e Prizrenit, ndërsa dje janë marrë në pyetje. Ende nuk janë bërë të ditura akuzat apo dëshmitë që ata kanë dhënë, megjithatë burimet policore shprehen se dyshimet janë pothuajse të sigurta se bëhet fjalë për terrorizëm. Katër personat, njëri prej të cilëve me shtetësi amerikane, janë arrestuar për armëmbajtje pa leje dhe rrezikim të sigurisë por “akuzat mund të zgjerohen” dhe të përfshihet dhe hetimi për akuzën e terrorizmit, bëri të ditur zëdhënësi i policisë së Kosovës Arben Beka. Ai tha se gjatë arrestimit, i cili u krye të premten në mëngjes, policia sekuestroi dhe dy armë kallashnikov dhe 5 granada dore. Beka nuk pranoi të komentonte lidhjet që ishin bërë në mediat vendase se të dyshuarit kanë lidhje me sektin më radikal islamik, “Wahabi”. Të arrestuarit janë Bekim Kazi me orgjinë nga Dibra, shtetas amerikan, Shaban Dilin, Bajram Berisha dhe Ilaz Islami, që të tre shtetas kosovarë. Mediat lokale thonë se operacioni është kryer në bashkëpunim me FBI-në amerikane por zëdhënësi Beka tha se policia as nuk mund ta konfirmojë dhe as ta mohojë këtë. Policia thotë se ka sekuestruar një kompjuter laptop, i cili besohet se ka informacione mbi planet e dyshuara. Arrestimet vijnë një muaj pasi policia e Kosovës tha se kishin shkëmbyer informacione me hetuesit e FBI-së, të cilët kishin çuar më pas në arrestimin e një shtetasi kosovar në SHBA, i cili së bashku me 6 shtetas të tjerë amerikanë akuzohen për komplot për të kryer sulme terroriste në vendet e tjera. Autoritetet amerikane ngritën akuza kundër tyre pasi mendohej se kishin plane për të ndërmarrë sulme terroriste jashtë vendit. Në aktakuzën e publikuar, thuhej se në qershor 2007, 39-vjeçari Daniel Bojd, që mendohet se është kryetari i grupit, dhe disa nga personat e tjerë të dyshuar, kishin shkuar në Tel Aviv dhe Gazë për t’u angazhuar në xhihadin e dhunshëm, por përpjekjet e tyre dështuan. Prokurorët thonë se Bojd ka qenë në Afganistan dhe Pakistan mes viteve 1989 dhe 1992 për stërvitje ushtarake në kampet terroriste. Autoritetet thonë gjithashtu se Bojd dhe të dyshuarit e tjerë ishin stërvitur me armë automatike dhe ishin përpjekjur të mblidhnin para për sulme terroriste. Në aktakuzë nuk thuhej nëse personat kishin plane për sulme terroriste brenda Amerikës.

31 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›