E Diel, 1 Nëntor 2026

Galeria Kombëtare e Arteve, tetë ekspozita brenda pesë muajve

Autori i Lajmit: red.
Brenda pesë muajve, në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve do të ketë tetë ekspozita, që do të hapen deri në qershor të këtij viti, ku vendin kryesor e zënë ato fotografike. Burime të Galerisë Kombëtare të Arteve kanë bërë të ditur se pas mbylljes së ekspozitës të konkursit “Onufri 2008” (8 Shkurt), në sallën nr. 1 të Galerisë Kombëtare të Arteve, do të hapet më 10 shkurt ekspozita fotografike “Besa”, e fotografit amerikan Norman H. “Gerchman”, e cila do të qëndrojë e hapur deri më datën 20 shkurt. Ndërkohë, në të njëjtën periudhë, në sallën nr. 2 të GKA, në bashkëpunim me Ambasadën kroate, do të hapet për publikun ekspozita fotografike e autorit Ivo Perlan. Muaji mars shfaqet mjaft i rënduar në programin e ekspozitave. Gjatë këtij muaji do të hapen 5 ekspozita të ndryshme, në dy sallat e kësaj Galerie. Duke filluar nga data 24 shkurt e deri më 12 mars, në sallën nr. 2 do të paraqiten në një ekspozitë vetjake punimet e piktorit Hasan Nallbani. Ndërsa më 16 mars, në këtë sallë do të hapet një ekspozitë, që ka në qendër artin Hibru (Izrael), e cila do të qëndrojë e hapur deri në datën 30 Prill. Në sallën nr.1, duke filluar nga data 10 mars, do të hapet një ekspozitë fotografike e Agjencisë Telegrafike Shqiptare dhe Agjencisë franceze të Lajmeve(AFP), në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Arteve, vendin e së cilës do ta zërë ekspozita “Kohë e trazuar”, e autorit Alain Janssens, e cila do të qëndrojë e hapur nga data 20 mars deri në 7 prill. Në muajin maj, artdashësit do të kenë mundësinë të ndjekin një ekspozitë me vepra të fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve “Udhëtarë të huaj, që kanë pikturuar në Shqipëri”. Kjo ekspozitë do të çelet më 4 maj dhe do të qëndrojë e hapur deri më 30 qershor. Ndërsa gjatë periudhës Korrik-Tetor, Galeria Kombëtare e Arteve do t i nënshtrohet procesit të rikonstruksionit, me synim krijimin e kushteve më të mira për organizimin e ekspozitave në muajt në vazhdim.

Ky lajm është publikuar: 29/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›