E Diel, 1 Nëntor 2026

MASH nis shpërndarjen e kompjuterëve, nuk sqaron origjinën e tyre

Nga Tema

Ministria e Arsimit ka nisur pikërisht dje shpërndarjen e kompjuterëve dhe të tjerëve aksesorë elektronikë që i kanë mbërritur asaj në kuadër të programit “Cilësi dhe Barazi në Arsim”. Dje janë shpërndarë rreth 2.000 laboratorë virtualë me vlerë afro 1 milion Euro në shkollat e arsimit parauniversitar, fillimisht në kryeqytet dhe më pas në të gjithë shkollat në gjithë vendin.

Ministria nuk ka sqaruar ende skandalin e kompjuterëve me etiketa false që vinin nga Kina dhe që janë bllokuar në Itali.

Në një komunikim me mediet kjo ministri e ka bërë fakt se kanë ardhur 7.146 kompjuterë. “Në kuadër të projektit “Cilësi dhe Barazim në Arsim” për pajisjen e shkollave me laboratorë kompjuterikë, informojmë publikun se në datat 21-27 janar 2009 nga pika kufitare e Hanit të Hotit kanë kaluar, janë zhdoganuar dhe janë magazinuar në Tiranë 7.146 kompjuterë të porositur nga MASH, të cilët do të shpërndahen së shpejti në shkollat e Shqipërisë”, - thuhet në sqarimin e kësaj ministrie.

Por, nuk thuhet se, nëse do vazhdojnë të vijnë më kompjuterë në kuadër të këtij projekti. Kjo bie në kundërshtim me atë që pohoi para disa ditësh në studiot e TV “Klan” ministri i Arsimit, Fatos Beja, i cili tha se kanë mbërritur disa ngarkesa me kompjuterë dhe të tjera pajisje elektronike dhe kompjuterë pritet të vijnë.

Gazeta “TemA” publikoi të dhëna se një firmë serbe, me lidhje në Qipro me sekserin boshnjak Damir Fazlliç, kishte fituar këtë tender. Kjo është bërë e ditur dhe në faqen zyrtare të kësaj kompanie.

Në të sqarohet se është fituar tenderi për blerjen dhe për instalimin e këtyre pajisjeve.

Ngarkesa ndodhet ende në Itali dhe askush nuk ka dhënë sqarim në lidhje me destinacionin e mallit. Doganat nuk kanë sqaruar asgjë për ngarkesën prej 37 mijë kompjuterësh të falsifikuar që kishin si destinacion Vlorën.

“Autoritetet doganore italiane, në një komunikim zyrtar, kanë informuar portin e Durrësit se është bllokuar një anije tregtare që kishte si destinacion këtë port. Dyshimet e autoriteteve italiane kanë lindur nga sasia e madhe dhe nga etiketat e këtyre produkteve si “Microsoft”, “Pioneer”, “Samsung”, “Epson”, të pasuar nga disa aksesorë si webcam, hard disk, bluetooth etj. Guardia di Finanza ka ndërmarrë kështu një kontroll të detajuar duke zbuluar se ngarkesa ishte e falsifikuar”, - raportonin mediet italiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›