Shqiptarja Fevzije Çamer, ylli i modës turke
Sigurisht të flasësh për një njeriu që më tepër një personalitet si Fevzije Çamer nuk është kollaj. Por unë do përpiqem të flas vetëm për disa tipare të karakterit të saj për figurën e saj si njeri, si grua, si nënë, si familjare e mirë, për cilësitë e saj. Është nga ato njerëz
që i takon rrallë në jetë dhe që nuk hapen lehtë me çdo njeri. Po të kesh mundësi të ulesh me të, të bisedosh me të, të këmbesh mendime me të do të shohësh se kë të bësh me një grua të thjeshtë, të rrahur me jetën, që i njeh njerëzit, i njeh mirë ata di dhe si të sillet me ta. Pas mbarimit të shkollës së mesme profesionale dhe konservatorit zonja Çamer hyri në jetën e punës. Njëkohësisht ajo u martua dhe pati një djalë për të cilin u kujdes gjithë jetën me përkushtim, natyrisht siç çdo nënë. E rriti e shkolloi dhe studimet e larta i mbaroi në Amerikë. Unë kam pasur rast ta njoh dhe mund të them që dhe ai është gatuar me një varg virtytesh të trashëguara, të përcjella dhe të edukua nga e ëma. Djali mbaroi studimet e larta me rezultate shumë të mira dhe aktualisht ka hyrë në jetën e punës dhe ka krijuar familjen e vet. Ndërsa zonja Fevzije sot e gjithë ditën mbetet një nënë e mirë. Ndër tiparet e zonjës Fevzije mund të përmendim se ajo është një njeri punëtor që s'di të thotë kurrë se ç'është lodhja, është e papërtuar. Një tipar tjetër i saj është thjeshtësia. Ajo ka të bëjë me njerëzit e elitës turke, vetë është shndërruar në një pjesë të kësaj bote, që jep e merr me të por ajo di të komunikojë me këdo, pa paragjykime e pavarësisht shkallës pasurore. Ajo komunikon lirisht e me kënaqësi me bashkatdhetarët e vet shqiptarë, qofshin këta të Stambollit, të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë e ngado që të jenë dhe kur ka mundësi u gjendet pranë, i ndihmon me çfarë mundet. Një tipar e saj është
korrektësia, punktualiteti. Ajo është tepër korrekte në takime. Me të njeriu duhet të jetë shumë i saktë. Jeta e ka mësuar të shfrytëzojë dhe minutën dhe sekondën dhe të mos humbasë asnjë grimë kohë kot. Është njeri shpirtmirë dhe në bonsens pra ku t'i ndihmojë ata që duan diçka prej saj. Unë kam dëgjuar nga të tjerët, plus di dhe nga përvoja ime e takimeve me të se ajo u është gjendur në hallet e tyre jo vetëm të afërmve, të vëllait, të motrës, farefisit që ka në Shqipëri apo thjesht dhe njerëzve me të cilët s'ka të bëjë po që i drejtohen asaj për njërën apo tjetrën arsye. Ajo është njeri i dhimbsur dhe fati apo jeta ia ka sjellë të përballojë "derte të mëdha", sfida të jetës e të sëmundjeve të të afërmve të cilat i ka përballuar me kurajë e zotësi qoftë materialisht qoftë shpirtërisht, duke bërë "të madhin", mbrojtësin e njerëzve "të vet" duke u dhënë zgjidhje problemeve shpesh të rënda që jeta i ka nxjerrë asaj apo të tjerëve përpara. Shtëpia e saj shquhet për rregullin e pastërtinë e veçantë. Më kujtohet se kur shkoja në apartamentin e saj në Maçka, në një lagje të pasur të Stambollit, e vjetër që nga koha e Bizantit, pa hyrë mirë në derë vishnim mbi këpucët tona disa si papuçe prej collofani me të cilat qarkullonim nëpër shtëpi për të mos e bërë pis. Gjithashtu të binte në sy çdo gjë ishte në vendin e vet. Të dukej se ishe jo në një shtëpi të zakonshme por në një ekspozitë. Më 1994, 1995 dhe 1996, kur kam qenë më shpesh në shtëpinë e saj kam parë se kish nëpër rafte e dollapë
"plaketat" apo dekoratat që kishte marrë në sfilatat e modës në Turqi në vite të ndryshme. Ishin rreth 60 copë. Sot numri i tyre ka kaluar 100 copë dhe vazhdon të rritet. Është interesante se ajo është edhe një njeri shpirtmirë. Ndihmon dhe stilistët e rinj të modës, kolegët sidomos ata në moshë me të re se ajo që duam të përfitojmë prej saj, pa qibër, pa u kursyer me dashamirësinë e korrektësinë më të madhe. Më tregonte i nipi Eri Çamer (Veliu) i cili për një kohë ka punuar në emigracion, është një poliglot me 11 gjuhë, edhe tani pronar një firmë ndërtimi në Vlorë dhe i një hoteli që e ka ndihmuar po vetë. Zonja Çamer në sfilatën e sapobërë në Shqipëri tani në nëntor menjëherë krijoi një dialog të mirë me stilistët e modës nga Shqipëria. Ai më tregoi fotografinë me një stiliste të talentuar si Jona Muçaj. Po ashtu edhe me stilistin e ftuar në Javën e Modës Shqiptare nga Anglia, zotin Çarl Svingolom një figurë e njohur e modës dhe shumë familjare në Fashion TV.
Zonja Fevzije është me të vërtetë "zonjë", në të gjitha kuptimet. Fevzije Hanëm, siç i thonë turqit është një zonjë e rëndë, që manifeston një zonjëllëk e zotnillëk të saj me sjelljet e saj fisnike, me qëndrimin e saj moral, me komunikimin e saj njerëzor e të afërt, me zgjuarsinë e mençurinë e saj, me manierat e qëndrimet e saj që janë shprehje e një tradite të lashtë shtëpiake e shqiptare etj. Njeriu kur kontakton me të, nuk mund të mos njohë respekt për këtë grua të nderuar e të madhe. Ajo është një njeri me zemër të madhe, ajo di të marrë pjesë në gëzimet e të tjerëve ashtu sikurse di të bartë edhe shqetësimet, hallet, derdet e tyre, të mbajë peshën e një sëmundjeje kur ajo është nga ato që ne i quajmë "të rënda". Është një natyrë e fortë, burrërore me iniciativë dhe e guximshme ashtu sikur duhet di dhe të sakrifikojë për të afërmit, për njerëzit e punës, për klientët
e saj e të gjithë ata që e lidh jeta dhe puna e saj. Zonja Fevzije do të komunikojë në tre gjuhë. Dy janë gjuhët amtare turqishtja dhe shqipja në dialektin çam që e ka marrë me qumështin e nënës si dhe frëngjishtja që e ka mësuar gjatë viteve të qëndrimit të
saj në Francë.
Zonja Çamer, superklasi në Turqi
Zonja Çamer njihet si stiliste e jashtëzakonshme mode superklasi në Turqi. Shpesh më ka thënë: të hipësh në krye të piramidës si modeliste nuk është aspak e lehtë ka vështirësi, por ta mbash kryen e vendit të modës, për gjysmë shekulli kjo është tepër, tepër e vështirë. Zonja Fevzije ka qenë nga ato që për 5 dekada, i ka përballuar tërë erërat e konkurrencës e ka qëndruar në këmbë si shqiptare e vërtetë, duke ja
zbardhur faqen vetes, familjes, të afërmve, dashamirësve e mbarë komunitetit çam në Turqi e gjithë çamëve kudo që janë. Por emri i kësaj zonje ka spikatur në fushën e modës për më tepër në Paris e në botë. Modelistja çame Fevzije Çamer i takon asaj kategorie të njerëzve të rrallë për të cilët thuhet. Bir çëkijor pir çëkëjor. (Një del, ama i lartë del, i pari del). Kështu thonë turqit për një njeri apo personalitet i cili kap majat e një fushe të caktuar të dijes, të veprimtarisë njerëzore, të një profesioni të caktuar etj. Edhe
stilistja Çamer ka kapur lartësitë e profesionit të saj si modeliste e nivelit më të lartë siç thotë frëngu "haute couture". Më ka bërë përshtypje që në derën e hyrjes së saj, të banimit dhe njëkohësisht të atoljes (punishtes së saj) kishte një pikturë të një vajze të veshur
me shije dhe nën të fjalët frëngjisht që përmendëm më sipër. Kjo përbën si të thuash simbolin e kësaj modelisteje që e kemi parë edhe në sfilatat e saj kudo që ato janë bërë brenda e jashtë Turqisë. Fevzije Çamer që e vogël shfaqi aftësitë e saj si "rrobaqepëse", siç shprehet ajo thjesht për prerje e qepje dhe për të "sajuar" veshje nga më të ndryshmet. Por ajo "stilonte" që e vogël dhe talenti i saj në këtë fushë spikati edhe në shkollën që ajo ndoqi midis 200 shoqeve të saj nxënëse, ku ajo u dallua. Më pas ajo ndoqi konservatorin për këngë e muzikë. Edhe ky ndonëse indirekt ndikoi për të zhvilluar prirjet e saj artistike.
Më 1960 zonjusha e Çamer ende 20 vjeç organizoi sfilatën e parë të veshjeve të krijuara prej saj, duke korrur sukses të jashtëzakonshëm, i cili e ndoqi më pas për gjysmë shekulli deri në ditët tona. Por ky është rezultat i një pune të madhe të paprerë, të vazhdueshme. Unë kam parë në procesin e punës si vetë zonjën e nderuar ashtu dhe "laboratorin" e punës së saj në tre vendet, ku ai ka qenë pothuajse gjatë gjithë kohës dhe konkretisht në tre lagje të pasura të Stambollit në Maçka-Tëshvikije, në Nishantash e Osmanbej dhe së fundi në katin e parë të shtëpisë së vet në një rajon aristokratik të Stambollit që quhet Levent. Karakteristike e zonjë Fevzije është një jetë e mbushur me punë, punë dhe vetëm punë, pra një jetë e tërë plot punë tepër intensive e tepër e ngarkuar, duke qenë në sytë e njerëzve, sidomos të ajkës së tyre, të shoqërisë të Stambollit e të krejt Turqisë, të botës së biznesit, të kulturës, të artit, të politikës etj. Ajo arriti t'i ngjitë shkallët e profesionit të vet me shpejtësi dhe ka qëndruar me vendosmëri, zotësi e punë të palodhur në majat që
arriti si modeliste e lartë. Klientë të saj u bënë emrat e njëshave të fushës së artit, këngës, muzikës, teatrit e kinematografisë, të politikës si gratë e valinjve (qeveritarëve), ministrave, ofiqarëve të lartë të ushtrisë, këngëtarë të shquar etj. P.sh. jo pa krenari
Fevzija flet për Bulent Ersojin një këngëtare e madhe e skenës turke që ka qenë pranë saj për vite të tëra, apo Hulja Avshar, aktorja e madhe turke F. Turkan që sot është bërë ikonë e kinematografisë turke. Duke parë që "kryeqyteti" i modës në botë është Parisi, zonja Fevzije për mbi një dekadë e gjysmë shkoi në Paris dhe aty u njoh me rrënjë me
arritjet më të mira në fushën e modës. Duke parë talentin e saj, pati dhe oferta nga firmat e njohura në fushën e modës si shtëpitë e modes "Dior" dhe "Valentino" për të punuar me to e për to, për të bashkëpunuar etj. Vetë zonja Fevzije Çamer në lidhje me këtë shprehet
në një intervistë të fundit të saj: "Puna ime është shumë origjinale dhe kur më kanë bërë këtë ofertë unë kam kërkuar që nëse punoj për ta, emri i firmës të ndryshohej si p.sh. "Dior Çamer", ose "Valentino Çamer". Unë nuk mund të punoj për të tjerët. Për mua është më mirë të jem mbretëreshë në vendin tim se sa çirake në vend të huaj. Unë jam
shumë krenare dhe besoj se kjo është një cilësi që e kam marrë nga Shqipëria". Në vitet e qëndrimit në Paris ajo jo vetëm përfitoi përvojë, eksperiencë të çmuar që do t'i vlejte më pas, jo vetëm njohur biznesin e modës me rrënjë në një vend ku ajo kishte tradita
shekullore, jo vetëm u njoh në veshjet nga ana teknike, me dyqanet që tregtonin aksesorët e veshjeve, materialet e thjeshta e të bukura duke filluar nga kopsat etj., po aty ajo krijoi lidhje e u njoh me njëshat e botës së modës, modeliste të shquara, shtëpitë më prestigjioze të modës dhe njëkohësisht bëri të njohur veten e saj, njëkohësisht u njoh
me personalitetet e kësaj fushe apo që kishin lidhje me këtë fushë, pra u njoh me elitën e botës së modës në rang ndërkombëtar.
Njëkohësisht shqiptaro-turkja nga Çamëria gjithçka të akumuluar e të grumbulluar në Paris do ta përdorte në Stambollin e saj, të lindjes që nuk qëndron më poshtë se Parisi edhe në fushën e modës. Bile aq sa thuhet shprehja në Turqi që ka marrë vlerën e proverbit "s'merret vesh ku shfaqet moda më parë në Shans Elize (qendër e Parisit) apo në Bejollu (qendër e Stambollit)". Zonja Çamer në vite ngriti atoljen e vet me nga 20 deri 50 punëtorë sipas nevojave të punës, sipas stinës së sezonit, dhe valëve të kërkesës e ofertës siç është e natyrshme në shoqërinë ku jeton e punon ajo. Gjithçka, ndryshe nga shtëpitë e modes në shtëpinë e saj, në atoljen e saj të punës gjithçka bëhet me dorë,
nga mjeshtrat bura e gra rrobaqepës të kategorisë së lartë e super të lartë të talentuar që punojnë nën drejtimin e saj dhe realizojnë stilimet e saj, nën kontrollin e "rreptë" të saj. Ornamentet, aksesorët e veshjeve të bukura që prodhon për treg për klientët e veçantë të saj nga elita e zgjedhur e Stambollit, nga shtresa e lartë e pasur nga aristokracia e vjetër dhe e re e Stambollit, apo veshjet për sfilatat e modës, apo që i bëhen me porosi për persona të caktuar VIP si dhuratë etj., ajo këto i sjell direkt nga Parisi, ku ajo shkon të paktin një ose dy herë në vit... Sfilata mode nga viti 1960 e deri sot më 2008 ajo ka bërë në Stamboll e Turqi, në Paris e në Kuvajt, në Korenë e Jugut e në Minsk, në Dubai e Bahrein, në Itali etj. etj. Kur njeriu shikon fotografitë e sfilatave të saj në Turqi apo në vende të ndryshme të botës me personalitetet që ka dalë, anëtarët e jurive
kolegët modelistë, me modelistët me famë, me këngëtarë të shquar nga bota që janë të pranishëm pothuajse të pranishëm në sflitatat e modës, me zyrtarë e shtetarë nga më të lartët si burra shteti, presidentë, kryetarë bashkishë etj., njeriu nuk të mos mrekullohet me zonjën Çamer dhe të mos krenohet me këtë bijë të shquar e personalitete të nderuar
e përfaqësuese të denjë të komunitetit çam të Turqisë e përgjithësisht të komunitetit çam e të çamëve kudo që gjenden në trojet amë etnike apo në diasporën çame në të pesë kontinentet e botës. Dhe zonja Fevzije Çamer nga lartësitë e shtatë dekadave të jetës së saj, na vështron e gjallë, energjike e plotë vitalitet me plane e punë të reja për të ardhmen. Ajo nuk di të ndalet. Për të në lartësitë ku ajo qëndron ka vetëm një lëvizje: ecje përpara vetëm përpara...
Një biznesmene e suksesshme – Filantrope
Zonja Fevzije duke hyrë në një sferë siç është moda dhe duke mbërritur në majat më të larta të saj nuk mund të bënte përpara në një sferë të tillë kaq të kushtueshme pa qenë një biznesmene e mirë. Po ç'do të thotë për një grua të shquar në një vend si Turqia të jesh dhe afariste! Kjo flet shumë, tregon shumë, për më tepër grua. Aq e vërtetë është kjo sa mund të themi shkurt se kjo zonjë e rëndë ka mbërritur, të jetë në krye të këtij biznesi. Për të treguar zotësinë e aftësinë e saj në këtë fushë, pa dashur të zgjatemi, mjafton të themi
se ajo ka qenë për një kohë relativisht të gjatë presidente e "Lions Club". Është një klub i biznesmenëve, afaristëve të shquar, të pasur në rang ndërkombëtar. Ajo ka ditur të jetë një personalitet me peshë dhe në sferën ekonomike. Zonja Fevzije është një njeri që në një botë ku ligjin e bën paraja, ka ditur të punojë, veprojë me zgjuarsi dhe di si nxirret paraja, si përdoret ajo në mënyrë të suksesshme me nikoqirllëk në shitblerjet, si të sillet me klientët, si të manovrojë në situatat e vështira në treg dhe të dalë prej tyre, me sa më pak humbje. Zonja Çamer di të drejtojë biznesin e vet e do të menaxhojë punëtorët, më saktë ekipin e vet, artistë, mjeshtër të të qepurit si ajo. Ajo është shquar gjithmonë për cilësi të lartë të punës së saj konkurruese në tregun e modës e në përgjithësi dhe ka mundur të çajë në këtë treg. Emri i saj edhe në shtyp është përmendur e përmendet si
një ndër biznesmenet e suksesshme krahas asaj që çmohet e vlerësohet si një nga majat e arritjeve në modë, si një nga stilistet më të shquara në këtë vend. Është një gjë e madhe kjo për një afariste që punon në një sferë ku ndërthuren biznesi, moda, arti, menaxhimi etj. Pra në një sferë elitare, ka të bëjë me sferat më të larta të biznesit turk. Duhet të përmend se zonja Çamer është një biznesmene shumë e zonja dhe e rreptë si menaxhere. Duke qenë një biznesmene e mirë që di të menaxhojë si duhet paranë e fituar zonja Çamer është dhe një filantrope e madhe. Me paratë që mori nga një sfilatë mode në një rast, ku i shiti të 60 kostumet e saj, sponsorizoi ngritjen e një kati në spitalin ku kuroheshin fëmijët me leuçemi. Ai kat spitali ka akoma dhe sot ka emrin e zonjës Fevzije
Çamer. Rasti i dytë ka të bëjë me fushën e arsimit dhe të kulturës. Vetë zonja Fevzije shumë kohë para se të krijohej një universitet i ri në rajonin e Fëndëkzades në Stamboll më ka folur për projektin e tij, ku ajo kishte një pjesë të mirë të financimit si bamirëse, për këtë universitet privat siç ndodhi në të vërtetë. Më pas në krijimin e tij e më pas në ceremoni të tjera solemne ka qenë ftuar kryekonsulli i kohës Alkyz Cerga, miku im i nderuar. Zonja Çamer vazhdimisht në krejt veprimtarinë e saj gjysmëshekullore ka dhënë donacione dhe ka zhvilluar një aktivitet të gjerë bamirësie, duke dëshmuar me vepra filantropinë dhe Shpirtin e pamatw altruist shqip- shqip të saj.