E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja “Durrës-Kukës”, Basha mungon në seancën e parë

Nga Bledar Lumani

Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, i akuzuar për abuzime gjatë projektimit dhe ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës, nuk është paraqitur dje në Gjykatën e Lartë, në të cilën është zhvilluar seanca e parë gjyqësore ndaj tij. Në një letër drejtuar kësaj gjykate, Basha bënte me dije se nuk mund të paraqitej në sallën e gjyqit, pasi ndodhej në një aktivitet të rëndësishëm ndërkombëtar. Për këtë arsye, duke qenë se mungonte edhe mbrojtësi i tij, gjykata shtyu seancën e djeshme, ndërsa vendosi që seanca e ardhshme të zhvillohet në datën 27 shkurt, datë në të cilën Basha ka deklaruar se është i lirë. Ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, akuzohet se në bashkëpunim me ish-drejtorin Juridik të këtij dikasteri, Andi Toma, ka abuzuar me fondet e lëvruara për ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash, pjesë e rrugës Durrës-Kukës.

Shtyrja

“Në lidhje me njoftimin tuaj për zhvillimin e seancës mbi kërkesën e prokurorisë për shqyrtimin e çështjes, dëshiroj t’ju njoftoj se, nga data 27 janar deri më 31 janar jam jashtë Shqipërisë në një aktivitet të rëndësishëm ndërkombëtar . Në datat 3, 12, 19, 20, 26, 27 shkurt, nuk parashikohen aktivitete të rëndësishme”. Ka qenë ky teksti i letrës që Lul Basha i ka dërguar Gjykatës së Lartë, me anë të së cilës justifikonte mungesën e tij në sallën e gjyqit, teksa zhvillohej seanca e parë gjyqësore në ngarkim të tij. Ndërkohë, përveç Bashës në sallën e gjyqit mungonte edhe mbrojtësi i tij, Zef Nika, i cili pretendonte se nuk ishte njoftuar për nisjen e procesit gjyqësor. Në sallën e gjyqit ka qenë i pranishëm vetëm i pandehuri tjetër i dosjes hetimore të rrugës Durrës-Kukës, ish-drejtori Juridik në Ministrinë e Transporteve. Për shkak të mungesës së Bashës dhe mbrojtësit të tij, kreu i trupit gjykues, Spiro Spiro, vendosi që seanca e ardhshme të zhvillohet më datën 27 shkurt, ashtu siç kishte rekomanduar në letrën e tij edhe i akuzuari kryesor për këtë dosje, Lulzim Basha. Gjykata ka lejuar që seanca e djeshme të zhvillohet në praninë e gazetarëve, por pa lejuar filmime nga ana e kamerave. I pranishëm gjatë seancës së djeshme ka qenë edhe një përfaqësues i OSBE, që do të monitorojë këtë proces gjyqësor. Ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, akuzohet se në bashkëpunim me ish-drejtorin Juridik të këtij dikasteri ka abuzuar me fondet e lëvruara për ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash, pjesë e rrugës Durrës-Kukës. Dëmi i shkaktuar shtetit llogaritet të kapë shifrën e 230 milionë eurove. Bashkë më Bashën akuzohet edhe ish-drejtori Juridik në Ministrinë e Transporteve, Andi Toma. Tashmë, ata po gjykohen në Gjykatën e Lartë për akuzat e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë në tenderë”. Për abuzime me fondet u hetuan dhe ish-zëvendësministri i Transporteve, Armand Teliti dhe ish-Drejtoresha e Përgjithshme e Rrugëve, Lejla Saraçi. Por, për mungesë provash dhe faktesh, prokuroria e pushoi akuzën ndaj tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›