E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanuni dhe qytetet mesjetare

Autori i Lajmit: red.
Zbulimi i Statuteve të Shkodrës dhe botimi i tyre në gjuhën italiane dhe në gjuhën shqipe (2002), është një ngjarje me rëndësi të madhe për historinë e shtetit të së drejtës shqiptare. Me këtë dokument historiko-juridik, së bashku me Statutet e Durrësit, Tivarit, Drishtit e të Budvës, krijohet mundësia të merren njohuri më të plota për organizimin e zhvillimin e qyteteve-shtete mesjetare, siç ishte Shkodra. Botimi i Statuteve të Shkodrës, siç thonë në parathënie Lucia Nadin dhe historiani Oliver Schmitt, janë "një monument i vërtetë i Shqipërisë mesjetare, teksti më i vjetër ligjor, podukt në territorin e Shqipërisë". Sipas Gerhard Ortalit, statutet janë "dokument me rëndësi themelore nga shumë pikëpamje".
Deri tani, shkencat historike e juridike shqiptare dhe shumë studiues të huaj janë përqëndruar kryesisht në studimin e së drejtës zakonore të shqiptarëve, posaçërisht në Kanunin e Lekë Dukagjinit, që i referohet nga gojëdhëna popullore mesjetës (shek.XV). Mirëpo, dihet se Kanunet përmbanin norma që rregullonin marrëdhëniet juridike të njerëzve në zonat malore të qeverisjes vendore në Jug, në Veri të Shqipërisë e deri në Kosovë, ndërsa në qytete nuk vepronin. Me zbulimin e Statuteve të Shkodrës të dhjetëvjeçarëve të parë të shek.XIV, plotësohet një boshllëk i madh për njohjen e vetëqeverisjes së qyteteve.
Nga njoftimet e dhëna në artikujt hyrës të statuteve del se në vitin 1907, për herë të parë Leone Fontana, në Bibliografinë statutore shënonte ekzistencën e një statuti të Shkodrës: Scutari (Albania), Statuti di Scutari Ms. Museo Civico Correr Venezia. Studiuesja italiane Lucia Nadin, nisur nga interesa gjuhësore dhe Oliver Jons Schmitt për interesa historike, bënë kërkime intensive derisa hodhën në dorë Statutet, në dorëshkrim në 40 fletë, të shkruara në gjuhën veneto-veneciane. Dorëshkrimi ishte kopjuar nga origjinali prej Marino Dulcik, në arkivat e Këshillit të të Dhjetëve në Arkivin e Shtetit të Venecias. Dorëshkrimi nuk përmban datën e kopjimit, por sipas historianit Oliver Schmitt, ky është dokument unikal, që pasqyron korpusin tërësor të statuteve të qytetit të Shkodrës në dhjetëvjeçarin e parë të shek.XIV.
Statutet e Shkodrës, hartuar sipas modeleve të qytet-shteteve italiane
Statutet janë hartuar sipas modeleve perëndimore të qyteteve- shtete të Italisë: Venecia, Milano, Ankona etj. dhe përmbajnë parime evropiane, ndonëse Shkodra në këtë periudhë historike ndodhej nën sundimin e mbretit Stefan Dushanit, Rasha. Në fakt në krerët (nenet) 1, 2, 3, 54, 84, 92, 99 e 224, flitet për mbretin. Ky fakt është me shumë rëndësi që tregon se Statutet janë hartuar para vitit 1346, kur Stefan Dushani mori titullin perandor (car). Ky fakt vërteton gjithashtu edhe origjinalitetin shqiptar të Statuteve të Shkodrës kundrejt zakonik-ut (Kodit ligjor) të Stefan Dushanit që hyri në fuqi në vitin 1349, dmth. pas statuteve.Veç asaj, origjinaliteti i Statuteve vërehet edhe në përmbajtjen e tyre, që ndryshon shumë nga zakonik-u i Dushanit, sepse statutet përmbajnë shumë më tepër norma penale se sa zakonik-u, që kërkohej të zbatohej në perandorinë e tij, në Thesali, Maqedoni dhe Shqipëri.
Pas vdekjes së Stefan Dushanit (1355), Shkodra kaloi nën sundimin e Balshajve, të cilët e shtrinë pushtetin e tyre deri në Vlorë e në Berat. Kështu kreu (neni) 271 i statuteve i përket kohës kur ishte në fuqi Gjergj Balsha, i cili më 1396 kërkoi protektoratin e Venecias.
Nga viti 1396-1479 Shkodra bie nën sundimin e Venecias. Kështu shpjegohet që në Arkivin e Venecias ka shumë dokumente për Shkodrën. Me sa duket, pas pushtimit të Shkodrës nga Turqia në vitin 1479, shkodranët e emigruar në Venecia morën me vete këto dokumente, përfshirë edhe statutet e qytetit të tyre.
Meritë e madhe historike u përket studiuesve Lucia Nadin dhe Oliver Schmitt që i gjetën e i botuan Statutet e Shkodrës, duke i bërë një shërbim të madh Shqipërisë e posaçërisht shkencës juridike shqiptare.

Përmbajtja e Statuteve
Statutet përmbajnë 268 krerë (nene) origjinale dhe 11 krerë (nene) shtesë. Të 268 krerët i përkasin dhjetëvjeçarëve të parë të treqindës, kurse 11 krerët (nenet janë shtesa të viteve 1392-1479).
Në krerët e parë flitet për qytetarinë, për apostujt e shenjtorët, pastaj vijnë krerët me radhë për ndërtimin e shtëpive, për punët bujqësore, për punët artizanale, për peshëmatjet, për zgjedhjet e funksionarëve, për marrëdhëniet midis komunës dhe klerit, për pozitën e gruas që gëzon disa privilegje, ndryshe nga Kanuni i Lekë Dukagjinit, për gjykimet (procedura penale) dhe në pjesën e fundit për normat e së drejtës penale, që përbën objektin e këtij shkrimi. Gjuha e përdorur në statute, sipas Giovan Batista Pelegrinit është e qartë, veneto-veneciane, por përmban edhe pak shprehje orientale. Statutet janë përkthyer në gjuhën shqipe nga Pëllumb Xhufi.

Prof. Ismet Elezi hulumton mbi Statutet e Shkodrës
Mbrojtja me fanatizëm e të huajve, mikpritja shkodrane në ligj

Mikpritja shkodrane i ka rrënjët jo vetëm tek e kaluara zakonore por edhe tek e kaluara ligjore. Miku duhet të pritet mirë dhe duhet mbrojtur. Ky është një parim “universal” për jetesën në këtë qytet. E sanksionuar që në nenin 1 “Mbi lirinë e të huajve për të ardhur e për t u vendosur në qytetin tonë”, mikpritja shihet si një detyrim për këdo që banon në Shkodër. Vetë ligji u kujton shtetasve se të huajt duhet të mbrohen në çdo mënyrë. Por, nga ana tjetër, po këtu vendoset edhe detyrimi i të huajit që ka vendosur të qëndrojë përgjithmonë, për t i shërbyer këtij vendi dhe askujt tjetër. Ndërsa në rastin kur i huaji vendoset në shërbimin e një padroni vendas, është vendasi ai që detyrohet të paguajë taksën ndaj Mbretit dhe jo i huaji. ligji thotë gjithashtu se “Të gjithë qytetarët e Komunës sonë duhet t i mbrojnë të ardhurit në çdo mënyrë”. Por akoma më i privilegjuar bëhet vizitori i huaj në periudhën e festave si ajo e Shën Stefanit. Në kreun 7 bëhet e ditur se për një periudhë gjashtëditore, tre ditë para e tre ditë pas festës se tij ,të huajt që vijnë në qytetin e Shkodrës enkas për këtë festë, nuk duhet të preken e trazohen. Ai person që do t u bjerë në qafë në territorin apo zotërimet e qytetarëve, dënohet me 50 hyperperë (shumë parash).

Pjesë nga Statutet e Shkodrës

Mbi murin që zbret nga lart poshtë
Kreu 18
Në rast se midis dy shtëpive gjendet një mur që ngjitet nga posht lart ose zbret nga lart poshtë, muri i përket të dy palëve, me përjashtim të rastit kur njëra palë është në gjendje të provojë se muri i përket tërësisht asaj. Kjo vlen edhe për murin që ndan në mënyrë trasversale dy shtëpi. Muri duhet t i përkasë shtëpisë së sipërme. Përveç rastit kur shtëpia e poshtme mund të provojë se muri ose një pjesë e tij i përkasin asaj.Të vendoset ashtu siç tregojnë provat.

Mbi murin që rrezikon të shembet
Kreu 19
Nëse në qytetin tonë do të konstatohet një mur që rrezikon të shembet dhe gjendet se muri i përket atij apo këtij personi, gjykatësit duhet të urdhërojnë pronarin e murit ose të arkitraut që ta riparojë atë dhe nëse nuk mund të riparohet, ta rrëzojë përtokë në mënyrë që mos të dëmtojë njeri. Nëse ky rrefuzon ta rrëzojë, atëherë këtë le ta bëjë gjykatësi me shpenzimet e pronarit të murit.Veç kësaj ,ky i fundit duhet të dënohet me 8 hyperperë, që ndahen përgjysëm midis Kontit dhe Komunës.

Mbi bashkëpronësinë në hapësirën midis dy shtëpivë
Kreu 20
Në rast se bëhet fjalë për hapsirën poshtë dy shtëpive dhe as njëra e as tjetra palë nuk është në gjëndje të ofrojë ndonjë provë pronësie, secila palë do të vazhdojë të zotërojë ashtu si më parë,qoftë mbi tokë e qoftë nën tokë, pjesën e bodrumit ose të qilarit që ka pasur më parë.

Mbi derdhjet e ujërave
Kreu 21
Ndalohet të drejtohen derdhjet e ujërave mbi çatinë e fqinjit, gjë që do ta dëmtonte atë. Për këtë të veprohet siç ka qënë zakon më parë. Nëse dikush vepron kundër, të paguajë si gjobë 12 grosh të Sklavonisë, prej të cilavë gjysma i shkon Kontit dhe gjysma paditësit.

Mbi hedhurinat
Kreu 24
Urdhërojmë që askush të mos flakë plehra nga dritarja, ballkoni,qilari në rrugë publike ose në çdo lloj rrugëkalimi tjetër të qytetit tonë. Kundravajtësit do të ndëshkohen me 12 grosh gjobë, gjysma e të cilave do t i shkojë Kontit dhe gjysma Komunës.

Mbi dherat e themeleve
Kreu 25
Urdhërojmë që askush nga ata që ndërtojnë shtëpi të re ose që meremetojnë të vjetrën, të mos hedhë në rrugë dheun e nxjerrë nga hapja e themeleve apo qilarit. Kush vepron kundra ligjit do të paguajë një gjobë prej 4 hyperperesh të Sklavonisë, prej së cilës gjysma do t i kalojë Kontit dhe pjesa tjetër paditësit.Veç kësaj, kundravajtësi duhet t i zhvendosë dherat jashtë rrugës së qytetit.

Mbi qeranë e shtëpisë
Kreu 26
Kur shtëpia lëshohet me qera për një vit apo disa muaj, urdhërojmë që i zoti i shtëpisë të mos e nxjerrë jashtë qeramarrësin përpara se të mbarojë afati, përveç rastit kur vetë i zoti i shtëpisë vendos të banojë vetë në atë shtëpi përara se të mbarojë kontrata: Por, në një rast të tillë qeramarrësi i nxjerrë jashtë përpara afatit nuk është i detyruar të paguajë kurrfarë qeraje. Nëse qeramarrësi e lëshon shtëpinë përpara mbarimit të kontratës dhe jashtë dëshirës së pronarit, atëherë ai ështe i detyruar të paguajë për gjithë vitin. Qeramarrësi duhet të shlyejë çdo dëmtim që provohet që është bërë prej tij: nëse shtëpia ka nëvojë për meremetim, këtë duhet ta bëjë pronari i shtëpisë, nëse ky refuzon ta bëjë këtë, atëherë qeramarrësi duhet të ankohet tek gjykatësi, të cilët duhet ta urdhërojnë pronarin ta marrë përsipër punimin.Por nëse ky nuk dëgjon ta bëjë një gjë të tillë, atëherë qeramarrësi mund të kujdeset vetë duke i zbritur shpenzimet nga qeraja.

Mbi qeramarrjen
Kreu 27
Urdhërojmë që në rast se dikush i kërkon fqinjit një shtëpi me qera, i zoti i shtëpisë mos t ia lëshojë dikujt tjetër, por këtij fqinji me të njëjtin çmim që do t ia jepte një tjetri. Kjo vlen, nëse ujdia vlen para fundit të vitit dhe nëse për shtëpinë ka kërkesa të tjera. Por nëse deri ditën e parë të vitit të ri, fqinji nuk shfaq ndonjë interes për shtëpinë, pronari është i detyruar t ia lëshoje kujt të dojë, ndërkohë që fqinji e humb të drejtën të shfaqë pretendimin mbi të, derisa të mbyllet viti.
(Shkëputur nga botimi i Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar)

Ky lajm është publikuar: 29/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›