Myslimanët shqiptarë, peticion OKI-it: Njihni Pavarësinë e Kosovës!
Si përfaqësues të një shqetësimi të përbashkët të besimtarëve për një çështje kaq të ndjeshme për mbarë popullin shqiptar u shtymë drejt një peticioni ndaj vendeve të Organizatës së Kombeve Islamike, OKI.
Në vlerësimin tonë dhe të shumë besimtarëve vazhdon të shihet si i papranueshëm hezitimi dhe qëndrimi i derisotëm politik i shteteve myslimane, anëtare të OKI, për njohjen e Pavarësisë së Kosovës, qëndrim që nuk ka asgjë të përbashkët me besimin islam. Ne i jemi mirënjohës popujve dhe qeverive të shteteve islame, për ndihëm e pakursyer gjatë eksodit tragjik të popullit martir të Kosovës në vitin 1999, në ditët e vështira të luftës. Por, vlerësojmë si të pashpjegueshme mosnjohjen e derisotme të Pavarësisë së shpallur një vit më parë. Prandaj vendosëm t'u drejtohemi shteteve dhe popujve myslimanë, si besimtarë të një besimi, i cili është i ngritur mbi parimet universale të paqes, lirisë, mirëkuptimit, tolerancës dhe respektimin e kulturave të popujve që janë një pasuri e çmuar për mbarë familjen njerëzore.
Shprehim bindjen se kjo nismë e sinqertë e besimtarëve, e cila do të mbështetet nga shumica e shqiptarëve, do të gëzojë respektin dhe seriozitetin e vendeve dhe popujve myslimanë për të reflektuar shpejt për njohjen e shtetit të Kosovës.
Duhet të falënderojmë përzemërsisht të gjithë besimtarët myslimanë, të cilët e nisën dhe po e mbështesin këtë nismë. Kjo nismë shumë shpejt, përveç kryeqytetit shqiptar, do të përfshijë edhe disa qytete të tjera, të cilat kanë shprehur gatishmërinë dhe vullnetarizmin për t’i shërbyer kësaj çështjeje madhore. Në kuadër të kësaj nisme kemi kënaqësinë t’ju njoftojmë se, lidhur me këtë iniciativë ka nisur një fushatë sensibilizuese në medien e shkruar dhe atë vizive në mbarë botën arabe dhe islame dhe për këtë dua të falënderoj të gjithë teologët, të cilët janë njëkohësisht arabishtfolës.
Ky peticion është i hapur për mbarë qytetarët. Në vendet kyçe të kryeqytetit tonë do të ketë vullnetarë ku mund të firmosni të gjithë pa dallim. Ashtu siç është edhe thirrja jonë: Të bashkojmë zërat tanë në këtë mision fisnik!