Galiani: Mesi te Milan? Tani, vetëm një mbrojtës
"Kur fitojmë në Torino, zakonisht fitojmë titullin". Të dielën e ardhshme pritet ndeshja Juventus-Milan, dhe Adriano Galiani është i bindur, edhe pse distanca me Interin është e madhe. "Nuk kam frikë nga përballjet", thotë administratori i deleguar i Milanit në një intervistë të dhënë për numrin e djeshëm të gazetës prestigjioze sportive italiane "Gazzetta dello sport". Galiani pranon se Milani i këtij viti ka dështuar shumë deri tani, sidomos përballë skuadrave të vogla: "Do të ishte bukur, nëse do të kishim vazhdimësi kundër skuadrave të vogla, por megjithatë gjithçka do të ishte e pakrahasueshme me vijueshmërinë që kemi pasur në këtë edicion në kupat e Europës". Galiani ka theksuar edhe një herë se Milani ka besim të plotë te trajnerit aktual Karlo Ançeloti dhe shpreson që tekniku të mund të rinovojë kontratën e tij, e cila skadon në muajin qershor të vitit 2010. Po ashtu, administratori i kuqezinjve i ka përkufizuar si "fantazi" zërat për një ardhje të mundshme të Rafael Benitez te Milani. Duke folur për merkaton, drejtuesi kuqezi pohon se Milani nuk ka ndërmend të marrë Lionel Mesin ("do të ishte e vështirë të mbijetonte me sulmuesit tanë") dhe shton se përforcimi i radhës do të jetë një "mbrojtës i madh". Megjithatë po afrohet koha e zbarkimit në Milano të David Bekham. Do të qëndrojë për pak muaj, pasi do të kthehet sërish te Los Anxhelos Galaksi. "Për momentin mundësitë që të qëndrojë më gjatë janë zero, por në jetë nuk i dihet kurrë".